Në vend që të ulet numri i punonjësve në administratën shtetërore, ai po rritet nga viti në vit. Vitin e kaluar janë punësuar mbi 900 persona, shkruan Alsat.
Numri i përgjithshëm i administratës është 132.088. Ministri i Shoqërisë Informatike, Admirim Aliti thotë se nuk ka zgjidhje sistematike për uljen e numrit të administratorëve.
Ai tha se për momentin ulja është e natyrshme me pensionim apo largim në sektorin privat për shkak të pagave më të larta.
“Administrata në shifrat që thamë e shohim që natyrshëm është në rënie, ka shumë punonjës që dalin në pension dhe për fat të keq rrogat nuk janë aq tërheqëse në administratë dhe prandaj për çdo ditë shkojnë nga sektori publik në atë privat dhe prandaj themi se ka ulje natyrale. Sot nuk mund të them asnjë zgjidhje sistematike përveç zgjidhjes që institucionet do të kufizohen vetëm në 5 për qind për vendet e reja të punës”, tha Admirim Aliti – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Një shkurtim prej 20 për qind i administratës ishte një nga premtimet kryesore të qeverisë. Po mendohen masa për t’u ofruar administratorëve transferim nga sektori publik në privat me kushte më të mira, pagesë për largim në sektorin privat dhe rikualifikim i barrës së shtetit sipas nevojave të tregut të punës. Megjithatë, këto masa mbetën vetëm në letër.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, për katër vite numri i administratorëve të punësuar është rritur për 3400 ose më pak se 1000 janë punësuar në vit.
Përqindja më e madhe e të punësuarve, gjegjësisht 33 për qind janë të punësuar në arsim, ndërsa mosha mesatare është 46 vjeç, në strukturën etnike maqedonasit janë të përfaqësuar me 73,57 për qind, shqiptarët me 20,35, turqit me 1,95 dhe romët me 1,19 për qind./ Alsat.mk