Shija e kafesë së zezë në rrugët e Sarajevës, një trashëgimi sulltanati

Edhe pasi Perandoria Osmane ia dorëzoi Bosnjen Austro-Hungarisë, ky vend kurrë nuk reshti së treguari disa adete tipike të sulltanatit: qejfin dhe kafenë.

Ajo që në treg njihet si “kafe turke” në fakt më së miri gjendet dhe shijohet në rrugët e Sarajevës.

E lehtë, e rëndë, shumë kremoze apo ekstra e pjekur, ka shumë shije që mund t’ia bashkëngjisësh krenarisë kombëtare të boshnjakëve. Kushdo që ka shijuar një kafe në Bashçarshi, lagja turke e Sarajevës, e di se kurrë nuk do të ketë rastin të shijojë një të ngjashme në ndonjë vend tjetër.

Përgatitja e kafesë bëhet me aq pasion, sa që shumë e quajnë ritual këtë proces. Kokrrat e pjekura të kafesë thërrmohen në pluhur të imët dhe zihen në një xhezve. Kafesë i shtohet ujë i ftohtë, dhe sa më shumë i vëni sheqer, aq më pak kremoze do të jetë ajo. Sekreti i zbuluar është vlimi disa herë i kafesë, e cila krijon një shkumë më të trashë dhe shije më të fortë

Meraklinjtë e saj e duan të trashë si balta dhe e hidhët si pelini, mundësisht shërbyer në një xhezve bakri të pjekur në prush. Shkon jashtëzakonisht shumë me llokumet me arra, një tjetër specialitet ky artizanal që ka qëndruar pranë filxhanit të kafesë me shekuj. /tesheshi.com/