“Nëse dëshironi të shkoni në kafene, vaksinohuni!”
Këtë këshillë ka ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në ndonjë objekt hotelierik. Këtë e tha në fund të konferencës për media, ku në detaje shpjegoi masat e reja shtërnguese për objekte hotelierike që do të hyjnë në fuqi nga 16 gushti.
“Çdo qytetar që dëshiron të vizitojë një objekt hotelierik, duhet të jetë i vaksinuar, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut në mënyrë shtesë do të intensifikojë kontrollet, ndërsa objektet hoterlierike obligohen të kenë shërbime të rendit sepse qytetarët nuk do të dënohen, do të dënohen objektet hotelierike nëse nuk kryejnë kontrollet e duhura sipas protokollove”, pohoi Bekteshi.
Tregoi edhe mënyrën se si do të duhet të funksionojnë masa shtesë për vaksinë.
“Personi që vendos rendin nuk do të shkojë të kërkojë certifikatë, por gjatë çdo hyrjeje në objekte do të ketë shërbime që mbajnë rendin, pra njerëz që do të caktohen nga ana e pronarëve dhe menaxherëve të objekteve hotelierike që për të hyrë duhet të tregojnë certifikatë për vaksinim”, deklaroi Bekteshi.
Por çfarë nëse për shkak të rritjes së infektimeve me Covid-19 do të duhet të mbyllet plotësisht sektori i gastronomisë?
“Në rast se vijmë në situatë që të vendosim lock-down të plotë të një sektori, ne si edhe më herët do të sjellim masa shtesë ekonomike për të gjithë sektorët që do të mbyllen. Masat ekzistuese që u sollën së fundmi nuk janë mbyllje e plotë e objekteve hotelierike, por vetëm për pjesën e mbyllur të objektit”, tha Bekteshi.
Duke nisur nga 16 gushti, ambientet e mbyllura të objekteve hotelierike nuk guxojnë të punojnë aspak. Ndërsa certifikatë të vaksinës do të duhen edhe në ambiente të hapura nëse ka mbi 30 të pranishëm. Nëse lokali ka kapacitet deri në 30 persona atëherë nuk është i detyruar të ketë person që do të mbajë rendin, por objekti do të kontrollohet nga Inspektorati.