PROFILE/ Dy shkencëtare shqiptare në Itali: ç’i mundon dhe ç’i frymëzon

Nga Nada Dosti

Mungesë për vendin e tyre, bekim për vendin pritës, e gjithmonë një frymëzim për shqiptarët në mëmëdhe apo gjetkë. Janë ata, të rinjtë për të cilët mburremi të gjithë dhe të cilët mbeten motivimi dhe shpresa e vetme për një brez të cilit i shkëlqejnë sytë tek sa shohin shembuj suksesi që arrijnë majat pas shumë vështirësishë dhe sfidash që sjell emigracioni.

Kemi dëgjuar për personalitete të artit, si këngëtarë, valltarë dhe aktorë, të cilët që të vegjël kaluan matanë detit apo lindën atje dhe më pas me shumë fat dhe akoma më shumë talent, arritën të çajnë në një “tokë të premtuar” pas shumë sfidash dhe peripecish. Mirëpo nuk të ndodh të dëgjosh përditë për shkencëtarë, të cilët fatmirësisht kanë qëlluar të jenë dhe gra.

Gra të guximshme, të suksesshme, të cilat kanë arritur të thyejnë me kushedi se sa stereotipe lidhur me gruan, si: grua në vetëvete, grua e re, grua e huaj (emigrante), grua muslimane (me ose pa mbulesën islame), grua dhe familjare, grua dhe nënë etj.

Së fundmi, me daljen e dokumentarit “Velli di cristallo/”Shami prej kristali – Gratë dhe Islami në Italinë e kërkimit shkencor”, i cili përpiqet të hedhë dritë mbi raportin e grave dhe shkencës nëpëtmjet historive jetësore të studiueseve të cilat punojnë në Itali, në mes të të intervistuareve spikasin me kontributin e tyre të vyer akademik dhe dy shkencëtare shqiptare, Egesta Lopçi dhe Eriomina Shahaj. Kontributi i tyre mund të vlerësohet si një përpjekje për të sjellë një pjesëz të Shqipërise në majat e kërkimit shkencor europian.

Dokumentari është paraqitur dhe ndjekur i plotë gjatë Festivalit të Shkencës mbajtur në Genova në dhjetor të vitit 2018, gjatë të cilit dy prej protagonisteve, ndër to edhe Egesta, kanë dialoguar me të pranishmit me një publik të gjerë që përfshinte intelektualë, akademikë si dhe qytetarë.

Eriomina Shahaj ka doktoruar në moshë shumë të re në Shkenca Biologjike dhe është pjesë e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano (IRCS). Moto e saj ka qenë gjithmonë shprehja: “Ajo çka unë doja të shihja është të zbuloja të bukurën në të padukshmen”

E pyetur për sfidat që ka hasur gjatë karrierës së saj, përgjigjet se shumica e diskriminimeve ndodh më tepër jashtë laboratorit. “Në përgjithësi ambienti akademik duket se është i lirë dhe mendjehapur, edhe pse jo gjithmonë”, shprehet Eriomina duke veçuar rastin e dy të njohurave të saj të cilat janë diskriminuar për arsye të ndryshme nga disa profesoresha të universitetit.

“Fatmirësisht, laboratori është një ambient i një nivel kulturor veçanërisht i lartë dhe i mësuar me bashkëjetesën midis personave me preardhje dhe kultura të ndryshme. Mirëpo, sfidat më të mëdha ndodhin jashtë tij, në përditshmëri, në rrugë, aty ku përballesh me njerëz me mungesë të theksuar niveli, edukate dhe kulture të cilët të sulmojnë në forma të ndryshme si shikime, fjalë…”, shprehet plot pozitivitet Erimina.

Egesta Lopçi,  nga Shkodra, studiuese e avancuar e mjekësisë bërthamore dhe Hulumtuese AIRC.

Shpreja e saj është: “Ndonjëherë ndodh të mësosh të bësh diçka dhe pastaj të dashurohesh me të akoma më shumë kur sheh se funksionon vërtetë alkimia.”

Disa prej jush mund ta njohin si shqiptarja e cila u dekorua nga vetë presidenti italian si një ndër personalitetet e mjekësisë që i ka dedikuar jetën zbulimeve ndaj tumoreve.

Dr. Lopçi që prej 20 vitesh jeton, studion e punon në Itali. Disa nga angazhimet shkencore janë puna si mjeke në spitalin “Humanitas” në Milano, relatore për masterin e hematologjisë pediatrike në “La Sapienza” në Romë, anëtare e Komisionit Pediatrik dhe Etik në Shoqatën Evropiane të Mjekësisë.

Ajo ka përfunduar shkollën e mesme në Shkodër dhe më pas fiton të drejtën për të studiuar për Mjekësi në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ciklin e parë të studimeve e përfundon me vlerësim maksimal.

Më vonë ndjek specializimin në mjekësinë bërthamore, të cilën e përfundoi brenda pesë vitesh. Po në të njëjtin universitet, merr doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive. Është autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë, ku i fundit është libri universitar Compendio di Diagnostica Medico Nucleare, në lidhje me diagnostikimin e sëmundjeve tumorale. Ajo ka marrë çmim nga Shoqata Evropiane e Mjekësisë Bërthamore, (EAMN).

Në qershor të këtij viti sapo u dekorua me një tjetër çmim, këtë herë nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të projektit Starting Grant (Fonde mbështetëse për nismën). Egesta qe ndër 146 kërkuesi të rinj nën moshën 33-vjeçare, e cilat fitoi të drejtën për një fond për kërkimin e saj shkencor në fushën e shëndetësisë për vitin 2018, duke u klasifikuar kështu si një nga shencëtaret e reja më me impakt në shoqëri.

E pyetur për sfidat dhe diskriminimin gjatë përvojës së saj, Egesta përgjigjet se “Nëse dikush nga rruga të diskriminon në mes të ditës pa pikën e turpit, në sferën akademike ky lloj diskriminimi ndodh në një formë më të sofistikuar, më inteligjente, pra është dhe më e vështirë për t’u përballur”

Interesante dhe të thella janë arsyet përse këto vajza kanë zgjedhur t’i dedikohen shkencës dhe ekziston edhe nje lidhje e fortë mes besimit të tyre dhe zgjedhjes në fjalë: “Islami- shpjegon Egesta- nxit besimtarët, qoftë meshkuj apo femra, që të bëjnë pyetje ekzistenciale në mënyrë të vazhdueshme, të njohin veten dhe botën përreth, duke bërë pyetje dhe duke u përpjekur për të gjetur përgjigje për këto pyetje”. /tesheshi.com/