NTP “Shkup” ka futur biletë ditore për vozitje në autobusët e transportit publik. Bileta do të kushtojë 120 denarë dhe me të mund të udhëtoni gjatë gjithë ditës, transmeton Portalb.mk.
“Kjo biletë do të lëshohet në fund të këtij muaji. Do të jetë prej letre si biletë për një udhëtim. E prezantojmë si opsion për qytetarët që përdorin më shumë autobusë gjatë ditës dhe do të jetë me përfitim të madh edhe për turistët”, thonë nga NTP “Shkup”.
Një javë më parë, NTP i riktheu linjat e natës që ishin anuluar për shkak të pandemisë kovid-19. Autobusë pas orës 23:00 ka në linjat 2, 5, 7, 22, 24, 41, 50, 57, 61, 63 dhe 65B. Linjat e autobusëve 2, 22, 24, 41, 57 dhe 65B qarkullojnë çdo ditë, ndërsa pjesa tjetër janë në funksion gjatë fundjavave ose të kombinuara, si dhe gjatë festave.
NTP “Shkup” deri në fund të marsit, do ta kthejë edhe transportin me autobus falas për pensionistët të martën, të premten, të shtunën dhe të dielën. Për realizimin e kësaj mase ka marrë 650 mijë euro subvencione nga Qyteti i Shkupit.