KUJDES/ Po qarkullojnë para të falsifikuara në RMV

Banka Popullore e RMV-së informon se ka vërejtur qarkullim të bankënotës prej dy mijë (2000) denarëve të falsifikuar. Nga Banka kanë treguar edhe mënyrën se si të mbrohen qytetarët dhe të mos mashtrohen.

Ata thonë se falsifikimi që qarkullon në shtet është përpunuar nga letër e thjeshtë (komerciale), e cila gjatë prekjes dallon nga trashësia, fortësia dhe elasticiteti, në krahasim me letrën origjinale që përpunohet kjo bankënotë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përveç kësaj, kartëmonedhat origjinale përmbajnë elemente mbrojtëse shumë të sofistikuara, sipas të cilave qytetarët mund të dallojnë dhe njohin origjinalitetin e tyre.

“Kartëmonedha e falsifikuar mund të identifikohet lehtësisht duke i kushtuar vëmendje elementit mbrojtës bazë, të printuar me ngjyra optike të ndryshueshme, që ndodhet në pjesën e sipërme të mesit të pjesës së përparme të kartëmonedhës. Ky element në kartëmonedhën e falsifikuar nuk ndryshon fare ngjyrë duke lëvizur kartëmonedhën, ndërsa në kartëmonedhat origjinale, duke e lëvizur kartëmonedhën në një kënd të caktuar, mund të shihni se si ndryshon ngjyrën nga jeshile në blu dhe në të shfaqet një unazë e gjelbër e hapur, elementi që simulon efektin e lëvizjes, siç tregohet në figurën e mëposhtme”, thonë nga Banka Popullore.

Ata më tej thonë se nëse hasni në kartëmonedha të tilla, duhet të drejtoheni te bankat ose te Ministria për Punë të Brendshme, prej ku ata më pas do të veprojnë sipas kompetencave të tyre.