Fondacioni Metamorfozis shpall CTRLZ sfidë për të rinj – Konkurs për videon më të mirë në temë “ndryshimet klimatike”. Të drejtë për pjesëmarrje në konkurs kanë të gjithë të rinjtë e moshës prej 14 deri 29 vjeç, raporton Portalb.mk.
Pjesëmarrësit duhet të krijojnë një video të shkurtër me temë “ndryshimet klimatike” në të cilën do të paraqesin ndikimin e ndryshimeve klimatike në natyrë dhe mjedis ose do t’u dërgojnë një mesazh të rinjve që të ndryshojnë shprehitë e tyre të përditshme për të zbutur ndryshimet klimatike.
Për më shumë ide, autorët mund të shikojnë tagun “ndryshimet klimatike“ ku janë të gjithë shkrimet dhe temat për të cilat Agjencia e Lajmeve “Meta.mk” ka shkruar në periudhën e kaluar.
Videoja nuk duhet të jetë më e gjatë se katër minuta, kurse gjuha e videos (nëse flitet ose shkruhet diçka) mund të jetë maqedonisht, shqip ose anglisht. Do të pranohen edhe përmbajtje në të cilat nuk është patjetër të ketë të folur ose tekst, pra mesazhi mund të përcillet nëpërmjet asaj që shfaqet në video.
Videoja mund të regjistrohet me çdo lloj kamere, telefon celular ose pajisje tjetër.
Në rast të përdorimit të materialeve që nuk kanë të drejtë autori, ato duhet patjetër të jenë me licencë të hapur, pra të jenë të lira për përdorim pa pagesë. Ndalohet përdorimi i materialeve me të drejtë autori ose plagjiaturë në aplikacione.
Çdo autor mund të marrë pjesë me maksimum një video. Videot duhet të dërgohen në adresën info@meta.mk me shënimin VIDEO KONKURS.
Për shkak të kufizimeve, videot më të mëdha mund të ngarkohen përmes një prej platformave të mëdha të shkëmbimit të të dhënave (siç është WeTransfer).
Mesazhi duhet të përfshijë të dhënat për autorin – emri, mbiemri, data e lindjes, numri i telefonit, si dhe linqet me profilin e tij/saj në rrjetet sociale Instagram dhe Facebook.
Videot do të vlerësohen nga një komision tre anëtarësh, që do të përbëhet nga gazetarë dhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Shkup. Më së shumti do të vlerësohet ideja, kreativiteti i produkcionit dhe forca e mesazhit të përmbajtjeve të dërguara.
Videot fituese do të postohen në kanalet e Fondacionit Metamorfozis.
Për fituesit e Konkursit janë siguruar shpërblime:
Vendi i parë– vauçer për pajisje TI në vlerë prej 15.000 denarë;
Vendi i dytë– vauçer për pajisje TI në vlerë prej 6.000 denarë;
Vendi i tretë– vauçer për pajisje TI në vlerë prej 3.000 denarë.
Konkursi për video është i hapur nga data 3 deri më 28 mars, ndërsa fituesi do të shpallet në prill.