Nga sot, vizitorët e Kodrës së Diellit do të jenë në gjendje të përdorin Info dhe promo qendrën e sapo ndërtuar, në mënyrë që të marrin me lehtësi të gjitha informatat në një vend. Kjo qendër info dhe promo ka për qëllim gjithashtu zhvillimin e turizmit, rritjen e punësimit dhe investimeve, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski, i cili e shpalli qendrën si të hapur.
“Krijimi i tre Qendrave të reja, të lidhura me qendra PIP, është i gatshëm dhe do të jetë në funksion në Gostivar, Mavrovë dhe Kodrën e Diellit të cilat do të operojnë dhe ofrojnë shërbime të bazuara në platformë qendrore digjitale, bazuar në proceset e standardizuara të punës dhe do të mbledhin në mënyrë efektive të dhëna për sjelljen dhe preferencat e turistëve, duke i shndërruar ata në informacion dhe njohuri për shërbim efikas të turistëve”, shpjegoi Milevski.
Tri qendrat inteligjente dhe promo të informacionit (PIPC) në vlerë prej 6,437,054 denarë janë të pajisura në rajonin e planifikimit të Pollogut me mbështetjen e Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.
Sipas ministrit Milevski, mënyra më e suksesshme për të përmirësuar ofertën turistike është komunikimi i drejtpërdrejtë, ballë për ballë me turistët. Kjo do të arrihej duke ndërthurur të dhënat dhe informacionet në dispozicion nga të gjitha kanalet e komunikimit, si dhe përmes një platforme digjitale që mundëson shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për vizitorët e vendit turistik. Projekti prek drejtpërdrejt rreth 176 mijë qytetarë nga ky rajon.
“Si pjesë e projektit ishte ndërtimi dhe pajisja e tre Qendrave PIP që janë të lidhura me Platformën digjitale, të cilat do të azhurnohen me të dhënat më të fundit përkatëse për turizmin, aventura, hotelierinë, hotelet, muzetë dhe të dhëna të ngjashme, të shoqëruara me marketing dhe material promovues dhe në dispozicion në Qendra, si dhe trajnime për shërbim, marrëdhënie dhe komunikim të punonjësve që do të punësohen në qendrat”, tha Milevski.
Ai parashikon që ky projekt do të rrisë numrin e investimeve përmes nismave fillestare me rreth gjashtë për qind të ofertës së përgjithshme turistike, do të rrisë punësimin në rajon me 1-2 për qind në 18 muajt e parë, si dhe numrin e turistëve në 12 për qind. /Koha.mk