Festivali i 22-të Ndërkombëtar “Ditët e Komedisë” u hap në Qendrën Kulturore Trajko Prokopiev në Kumanovë me shfaqjen “Të huaj” të Teatrit Dramaturgjik të Shkupit. Në dy javët e ardhshme, audienca do të ketë mundësinë të shijojë dymbëdhjetë komedi nga teatrot në vend, nga trupa teatrale të Shqipërisë, Serbisë, Kroacisë dhe Bullgarisë.
Këtë vit paraqet risi mundësia që do të kenë spektatorët duke i vlerësuar shfaqjet me notat nga një deri në pesë dhe duke u shpallur në këtë mënyrë edhe shfaqja më e mirë nga publiku.
Në ditët në vijim në festival do të shfaqen komedi dhe drama nga trupa të ndryshme teatrale, pjesëmarrës në Festival si komedia e “Jozo Ivanoviq” nga Kroacia, shfaqja “Hapa” e Teatrit të Kumanovës, “Termini im” i TPM – Shkup, “Shkoj për gjueti” e Teatrit të Velesit, “Pushteti” në interpretim të trupës nga Beogradi “Slavija”, ” Gra para krizës nervore” e Teatrit të Komedisë -Shkup, “Shkolla e dashnorëve” e Akademisë -Beograd, “Qesh për lamtumirë” e teatrit Satirik “Aleko Kostantinov” nga Sofja, “Doktor Shuster” nën interpretimin e teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça, Shqipëri, “Njihu me babain tim” nga Beogradi, ndërsa “Ditët e Komedisë” do t’i përmbyllë Teatri i Kumanovës me shfaqjen “E arratisura”.
Drejtori i Teatrit të Kumanovës Sasho Todorovski theksoi se është krenar që kanë një festival kaq të suksesshëm ku salla është mbushur deri në karrigen e fundit, ndërsa biletat janë shitur për tre ditë.
Festivalin e hapi kryetari i komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, i cili theksoi se komuna do të vazhdojë që ta përkrahë dhe i falënderoi të gjithë që ndër vite kanë dhënë kontributin për zhvillimin e këtij festivali.