Për tri natë rresht në New York, në vendin e njohur si “Producers Club Theaters” do të prezantohet shfaqja “Hollyshit” nga Ilir Bokshi, shkruan KultPlus.
Paraqitja e parë e kësaj shfaqje ishte mbrëmë ndërsa sonte dhe nesër ajo do të shfaqet në dy terminë, në ora 19:00 dhe në 21:00. Kjo shfaqje është e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, dhe vjen nën lojën e aktorit Adrian Morina dhe aktorit Ylber Bardhi.
“Hollyshit” përmes personazheve të ndryshme në mënyrë shumë të saktë ironizon dhe nxjerrë në pah një situatë e cila në realitetin e përditshëm kalon pa u theksuar. Shfaqja është e zhvendosur në një pjesë të Irlandës, ndërsa flet për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Statistët hollivudian duke qenë shfrytëzues, në anën tjetër dalin edhe si përçmues të statistëve irlandez./ KultPlus.com