Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës çelën ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”, në përkujtim edhe të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit. Pas Prishtinës, ku do të qëndrojë dy javë, ekspozita do të hapet dhe në Pejë e Prizren. Ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të vitit të kaluar mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës. Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore, por dhe dallimi si një njeri me ide liberale dhe reformatore. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës përshëndeti Selim Bazeraj, kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, dekani i Fakultetit të Filozofisë prof. ass. dr. Bujar Dugolli dhe znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës. Në fjalën e dr. Dorian Koçi u shpreh se me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, Ismail Qemali u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shekullit të XX. “Atdhedashuria dhe kontributi i tij në çështjen shqiptare,e ngrenë Ismail Qemalin në krye të figurave tona kombëtare, krahas asaj të Skënderbeut”, tha dr. Dorian Koçi. Ekspozita hapet me fotografinë e tij në moshën 27 vjeçare, në një nga shumë funksionet që ai ushtroi në Perandorinë Osmane, si President i Komisionit Europian të Danubit. Ekspozita prezanton për publikun objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik i përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912, libra dedikuar Ismail Qemalit, etj. Ekspozita “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite” u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksioneve Shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/