Edicioni i 66 i Eurovizionit këtë vit do të mbahet në Turin të Italisë gjatë muajit maj (10,12,14), ku do të marrin pjesë 41 shtete, në mesin e të cilave edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, transmeton Portalb.mk.
Sot u hodh shorti i gjysmëfinaleve të festivalit, ku Maqedonia e Veriut do të këndojë në gjysmëfinalen e dytë, në pjesën e dytë të shfaqjes.
Maqedonia e Veriut përfaqësuesin e saj në garën evropiane të këngës do ta zgjedh me katër shkurt, ku nga Radio Televizioni i Maqedonisë do të organizohet finalja nacionale “Për Eurovizion” ku fituesi do të zgjidhet në bazë të votave të publikut dhe atyre të jurisë, ndërkaq konkursi do të fillojë me 28 janar kur do të publikohen këngët.
Në gjashtë këngët finaliste është edhe shqiptari Jon Ajdini (Yon Idy) me këngën “Dreams”.
Shqipëria do të këndojë në gjysmëfinalen e parë, në pjesën e parë të shfaqjes. Këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga Ronela Hajati me këngën “Sekret” e cila doli fituese në edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Kosova nuk mund të marrë pjesë në Eurovision Song Contest sepse transmetuesi i tyre publik nuk është anëtar i Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU). Statutet e EBU thonë se anëtarët duhet të jenë nga një vend që është anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit ose është anëtar i Këshillit të Evropës.
Ndryshe, vitin e kaluar Eurovizioni u mbajt në Roterdam të Holandës ku fitues doli grupi “Maneskin” me këngën “Zitti e Buoni” nga Italia.