Me rastin e 8 Marsit, në Institutin e Izet Currit, u organizua ekspozitë, në të cilën çdo student kishte përgatitur nga një prezantim, nga fillimi i punimit deri në finalizimin e dizajnit. Për këtë ekpozitë, ata u përgatitën për 3 muaj rradhazi. Çdo dizajn që vinte nga studentët, prezantonte stil të veçantë dhe ekstravagant, shkruan Portalb.
Ekspozita u hap më 6 marsi dhe zgjatë deri në ora 17 sot pasdite. Interesimi për të vizituar ekspozitën ishte dukshëm i madh. Që në hyrje të Institutit mund të vërehej laramania e copave të punuara nga stundentët, shumë ngjyra, elemente interesante dhe tërheqëse për syrin.
“Që kur ekziston shkolla dhe që kur unë merrem me modë, gjithmonë për 8 Mars kam organizuar diçka, veçanërisht në Institutin tonë. Kjo ekspozitë ka dy qëllime, qëllimi i parë është shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe që studentët t’a shpalosin punën e tyre gjatë vitit. Në këtë ekspozitë i kemi lënë studentët e lirë që të punojnë sipas dëshirës së tyre, me qëllim që ta tregojnë kreativitetin e tyre”, tha dizajneri Izet Curri.
Instituti i Izet Currit momentalisht ka të regjistruar 30 studentë, ku vetë Instituti kujdeset që secili prej tyre të dalë nga aty si një profesionist i vërtetë. Deri më tani ata kanë organizuar shumë ekspozita dhe asnjëherë nuk kanë dështuar me paraqitjen e tyre.