Regjisori Justin Lin ka hequr dorë nga filmi ardhshëm, “Fast and Furious”, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me protagonistin dhe producentin e këtij projekti, Vin Diesel.
Lajmin e largimit nga ky projekt vetëm disa ditë pasi filluan xhirimet e tij, Lin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me mbështetjen e studios ‘Universal’, kam marrë vendimin e vështirë që të tërhiqem si regjisor i filmit të dhjetë ‘Fast and Furious’. Për dhjetë vjet, ne kemi arritur t’i xhirojmë aktorët, skenat aksion dhe ndjekjet më të mira me makina të shpejta. Si fëmijë i emigrantëve aziatikë, jam krenar që kam ndihmuar në ndërtimin e projektit më divers në historinë e filmit. Unë do t’i jem përgjithmonë mirënjohës kastës së mrekullueshme të aktorëve, ekipit e studios filmike, për mbështetjen e tyre dhe që më mirëpritën në familjen e ‘Fast and Furious’”.
Regjisori i cili e ka bërë regjinë e pesë vazhdimeve në serinë e filmave aksion, po ashtu tregoi se do të vazhdojë të shërbejë si producent i filmit.
Portali “The Hollywood Reporter” ka bërë të ditur se Lin e mori këtë vendim pos një diskutimi të ashpër me Dieselin, që besohet se kishte të bënte me disa ndryshime në skenar.
Xhirimet e filmit të ardhshëm janë pezulluar përkohësisht si pasojë e largimit të Linit. Mediat e huaja raportojnë se regjisori i filmave “The Incredible Hulk” dhe “Transporter”, Louis Leterrier, do ta zëvendësojë atë në rolin e regjisorit. Ende nuk është bërë ndonjë lajmërim zyrtarë nga studio “Universal”.
Në filmin e radhës “Fast and Furious” luajnë edhe aktorë: Jason Momoa, Brie Larson, Charlize Theron dhe Cardi B, krahas yjeve të vjetër të projektit, Vin Diesel, Ludacris, Michelle Rodriguez, Nathalie Emmanuel dhe Jason Statham.
Vazhdimi i dhjetë i projektit të suksesshëm në arkat filmike planifikohet të lansohe më 19 maj të vitit të ardhshëm. /kohanet