Studentët kërkojnë që Pallati i bardhë i VMRO-DPMNE-së të shndërrohet në konvikt

Studentët dhe drejtori i Konviktit shtetëror të studentëve “Shkupi” kërkojnë që selia e konfiskuar e opozitës VMRO-DPMNE të shndërrohet në konvikt, pasi Gjykata Themelore Penale Shkup dje vendosi ta konfiskojë Pallatin e bardhë, transmeton Portalb.mk.

Nga Kuvendi studentor univesitar (KSU) i UKM-së thonë se kanë kohë që po diskutojnë për këtë ide dhe se pas vendimit të gjykatës do të kërkohet mbështetje dhe rirregullim i hapësirës sipas dëshirës së tyre, sipas idesë së studentëve.

“Studentëve iu takon luksi në të cilin politikanët deri tani e kanë shijuar në mënyrë të pamerituar! Ky është një shans për të korrigjuar shpenzimet e gabuara të parave. Nuk na duhen llambadarët dhe pikturat tuaja të kristalta, na duhen tualete me derë që mbyllet, tavane pa myk dhe mure me izolim!”, shkruan në publikimin në Facebook të KSU UKM.

Nga aty shtojnë se janë të lumtur që partitë e tjera ndajnë idenë e tyre dhe se shpresojnë në bashkimin e të rinjëve për këtë çështje.

Shndërrim të Pallatit të bardhë në konvikt ka kërkuar edhe presidenti i Konviktit shtetëror të studentëve – Shkup, Viktor Velevski.

“Nëse do të kishin investuar 63 milionë në të gjitha konviktet, tani do të kishim ambiente moderne dhe evropiane për akomodim dhe ushqim në avangardën e vendit”, ka reaguar Velevski.

Gjykata kërkoi konfiskimin e selisë së VMRO-DPMNE-së në epilogun e rastit “Talir 2”. Përveç objektit luksoz në qendër të Shkupit, gjykata konfiskoi rreth 30 seli të partisë VMRO-DPMNE në të gjithë vendin.