Shqetësimi i shumë mësimdhënësve, punojnë me vite me fond të plotë por nuk kanë vendim!

Me vite punojnë me fond të orëve të plotë megjithatë, një numër i madh i mësimdhënësve nuk arrijnë të marrin vendim. Kjo për shkak se nuk kanë 10 orë në një shkollë bazë në një shkollë të vetme, por orët i kanë të shpërndara nëpër shkolla të ndryshme. Me këtë problem zakonisht përballen arsimtarët e kimisë, informatikës, artit, arsimit qytetarë dhe disa lëndëve tjera.

Ky është rasti i mësimdhënësit Agon Amiti nga Tetova i cili jep mësim në shkollën fillore Asdreni.

Ai për portalin tonë ka thënë se është shtatë vite në arsim e ka fondin e plotë, por për shkak 10 orëve bazë nuk arrin që të merr vendimin.

“Jam shtatë vite në arsim dhe kam fondin e plotë. Por fatkeqësisht edhe pse disa herë kam kërkuar të marrë vendimin, përgjigja ka qenë negative për shkak se nuk kam 10 orë bazë në një shkollë. Me këtë problem përpos meje ballafaqohen edhe shumë kolegë të tjerë. Jemi ankuar edhe në ministrinë e Arsimit megjithatë deri tani nuk është zgjidhur kjo çështje”, ka deklaruar Agon Amiti për Schoolture.

Ai tha se shpreson se kjo çështje të zgjidhet për shkak se paraqet një breng për mësimdhënësit të cilët me vite i shërbejnë sistemit edukativo-arsimor por nuk e kanë statusin e rregulluar.

Përgaditi: Schoolture