Qeveria do të marrë vendim për mësimin gjithëditor, MASH dhe SASHK për orët plotësuese të mësimdhënësve

Në seancën e sotme, Qeveria do të shqyrtojë dhe vendos për vendosjen e mësimit gjithëditor në shkolla, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska. Me SASHK-un janë duke u dakoduar zgjidhjet se si të tejkalohet problemi me vëllimin e shtuar të punës për mësuesit të cilët do të kenë orë plotësuese.

“Nëse fillon mësimi gjithëditor, grupet e vogla prej 20 nxënësish do të punojnë me të dy mësueset siç ka qenë. Nuk bëhet fjalë për qëndrim ditor por për mësim gjithëditor. Qëndrimi ditor nuk është diskutuar sepse aty përzihen fëmijët nga disa klasa dhe nga më shumë grupe, dhe në mësimin gjithëditor është njëra klasë me të njëjtët mësues. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme sot të rishikohet në Qeveri dhe të merret vendim siç rekomandohet nga Komisioni për Sëmundjet Infektive”, tha Carovska gjatë një vizite në një shkollë fillore në Gazi Baba.

Zgjidhje për kuadrin mësimor u diskutua me SASHK-un dhe kryetarët e komunave se kur klasa do të duhet të ndahet në grupe më të vogla. Njëri opsion është urgjent dhe i pashtyeshëm, tha Carovska, sepse duhet kuadër shtesë.

“Kemi kuadër tjetër që mund të përfshihet për të mbështetur mësimin gjithëditor sepse në pjesën e dytë të mësimit kemi përsëritje të njohurive që kanë kaluar gjatë ditës, që do të thotë se edhe një tjetër nga shkolla mund të ndihmojë këtu, ndërsa sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune kemi mundësi edhe për të paguar orë shtesë”, shtoi ministrja.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov e theksoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për vëllim më të madh të punës së mësuesve dhe se dyfishimi i orëve është një problem serioz duke e pasur parasysh stafin në dispozicion të shkollave, veçanërisht nëse futet mësimi gjithëditor.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe vetëqeverisjet lokale, do të gjenden zgjidhje për të kënaqur punën shtesë të atyre mësuesve që do të kenë një numër plotësues të orëve. Për ne si Sindikatë është opsion i papranueshëm 50 orë mësimore në javë, por padyshim që kemi mirëkuptim nga partnerët socialë dhe bindja ime është se brenda kompetencave të tyre, MASH dhe BNJVL, do të gjendet një zgjidhje sepse kemi problem real”, shtoi Nedellkov.