Nuk ka mësim në gjimnazin e matematikës në Shkup, shkak mungesa e kuadrit

Nxënësit e gjimnazit “Matematikë dhe Informatikë” në Shkup edhe javën e dytë të gjysmë-vjetorit të dytë shkollor po e vazhdojnë me humbje orësh në lëndët profesionale. Sipas drejtuesve të shkollës kjo ndodhë për shkak të skadimit të kontratave të mësimdhënësve të cilat u përmbyllën më 31 dhjetor 2022 ndërkohë që të rejat akoma nuk janë miratuar. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se çdo orë e humbur do të kompensohet në momentin që mësimdhënësit rikthehen në shkollë.

“Kam kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e sektorit të arsimit të mesëm për mos reagime në kohë. Ka qenë e ftuar sot drejtoresha e shkollës këtu në ministri dhe ajo ka dorëzuar raport për këtë lloj mungese e cila I ka ndodhur. Bëhet fjalë për kontrata një vjeçare, ashtu siç vazhdohen në të gjitha institucionet edhe këtu dhe shpresoj që së shpejti, është çështje ditësh që do të zgjidhet kjo problematikë dhe mësimi do të vazhdoj. Gjithçka që është humbur në këto lëndë për një javë, që mund të jenë humbur dy, katër ose gjashtë orë patjetër që do të kompensohen”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Përveç prindërve ka reaguar edhe Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme. Apelojnë që problemi në Gjimnazin Matematikë-Informatikë të zgjidhet sa më shpejt, sepse është absurde që nxënësit e këtij gjimnazi të kenë vetëm një deri në dy orë në ditë. Sipas Unionit procesi i papenguar arsimor është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore e çdo nxënësi dhe shteti duhet ta respektojë dhe ruajë atë.

“Për shkak të pamundësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, është e papranueshme që nxënësit të mos kenë mësime në 8 lëndë profesionale. Me keqardhje pohojmë situatën në shkollën e mesme, e cila u konceptua si një institucion arsimor elitar për nxënësit e talentuar në matematikë dhe informatikë”, thonë nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Gjimnazi Matematikë-Informatikë është themeluar para tre vjetësh dhe për momentin funksionon në kuadër të shkollës së mesme profesionale “Zdravko Cvetkovski”. /Alsat/