Ministria e Arsimit do ta rishqyrtojë përmbajtjen e librit të historisë për klasën e gjashtë në RMV

Komisioni i krijuar me vendim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës do të rishqyrtojë përmbajtjen e librit të historisë për klasën e 6-të, pasi ministria ka marrë ankesa se disa të dhëna dhe informacione të publikuara në tekst nuk përputhen me realitetin shkencor.

Komisioni, brenda një afati ligjor prej 10 ditësh, ka detyrimin t’i paraqesë ministrit propozimin për tërheqjen e librit shkollor, nëse anëtarët deklarojnë se ankesat kanë baza. Në varësi të vëllimit të materialit që duhet të ripunohet, do të merret një vendim për korrigjimin e atij ekzistues ose përpunim krejtësisht të ri të librit për lëndën përkatëse.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet tjera kompetente do të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e përmbajtjes së librave shkollore që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm dhe në të gjithë këtë proces do të jetë i përfshirë edhe publiku, gjegjësisht qytetarët që kanë mundësi të dërgojnë komente, sugjerime dhe vërejtje për librat shkollorë në adresën elektronike book@mon.gov.mk.