ESHS/ Vitin e kaluar Maqedonia u bë me 201 doktor shkence dhe me 1976 magjistrantë

 Në vitin 2021, titullin doktor i shkencave e kanë marrë 201 persona, që paraqet rritje për 15,5 për qind në krahasim me vitin 2020. Titullin magjistër i shkencave dhe specialistë, vitin e kaluar e kanë marrë 1976 persona, prej të cilëve 1727 ose 87,4 për qind janë magjistra dhe 249 ose 12,6 për qind janë specialistë. Numri i magjistrantëve dhe specialistëve, në krahasim me vitin 2020, është rritur pëe 12,4 për qind, publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë.

Numri më i madh i personave kanë doktoruar në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, 23,4 për qind, pastaj në shkenca shoqërore, gazetari dhe informin kanë doktoruar 17,4 për qind, vijojnë degët biznes, administratë dhe drejtësi me 15,9 për qind, art dhe shkenca humane me 11,4 për qind, ndërsa pjesa tjetër e fushave janë me përqindje më të vogël të përfaqësimit.

Njëqind e pesëmbëdhjetë gra mbrojtën disertacionet e doktoraturës në vitin 2021, që paraqet 57,2 për qind nga numri i përgjithshëm i personave që kanë doktoruar në vitin e njejtë.

Përqindje më e madhe e numrit të përgjithshëm të personave që kanë doktoruar, gjegjësisht 30,8 për qind e kryejnë profesionin e tyre në veprimtarinë arsimore.

Pjesëmarrja e grave magjistre, sërish, në numrin e pergjithshëm të personave që kanë fituar titullin shkencor magjistër i shkencave, në vitin 2021 është 59,6 për qind.

Në vitin 2021, numri më i madh i tezave të masterit, 558 ose 32,3 për qind, janë nga fusha e biznesit, administratës dhe drejtësisë, 22,2 për qind janë nga fusha e shkencave shoqërore, gazetaria dhe informimi, vijojnë inxhinieria, prodhimtaria dhe ndërtimtaria me 15,9 për qind, ndërsa pjesa tjetër e fushave janë me përqindje më të vogël të përfaqësimit. /Zhurnal/