Aplikimi për bursa të studentëve përfundon të hënën

Më 5 dhjetor (e hënë) është afati i fundit për aplikim për bursa të studentëve për vitin akademik 2022-2023. Sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është paraparë të ndahen gjithsej 3000 bursa, ndërsa këtë vit janë vendosur tre kategori të reja për shkak të mungesës së kuadrove në fusha të caktuara.

Siç bëri të ditur MASH-i, për herë të parë do të ndahen 30 bursa për studentë të cilët janë të regjistruar në programe studimore në fushën e shkencave bujqësore, veterinare dhe pyjore. Risi janë edhe 15 bursa për studime parauniversitare për përkthim dhe interpretim nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas (gjuhë amtare) dhe përkthim dhe interpretim nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase dhe anasjelltas (gjuhë joamtare). Gjithashtu, 15 bursa janë paraparë për herë edhe për studentët e regjistruar në studimet parauniversitare për histori të artit, arkeologji, arte figurative dhe etnologji e antropologji.

Gjithsej 1470 bursa janë të destinuara për studentë të rregullt të kategorive sociale. Për studentë të fushave të shkencave tekniko-teknologjike, bioteknike, sociale, humane janë paraparë 770 bursa, ndërsa 85 bursa për studentë të regjistruar në programet studimore për informatikë.

Për studentët e regjistruar në programe studimore për gjuhën maqedonase, letërsi maqedonase dhe letërsi sllavo-jugore janë paraparë 15 bursa.

Pesëqind bursa janë paraparë për studentët e regjistruar në programe studimore në fushat shkencore të shkencave natyrore-matematikore, tekniko-teknologjike, bioteknike dhe/ose mjekësore dhe të cilët kanë sukses mesatar nga viti i parë studimor deri në studimin e regjistruar aktual të paktën 8.00 sukses mesatar.

Tridhjetë bursa do të ndahen për studentët e regjistruar në programet studimore për kimi, 20 për studentët e regjistruar për fizikë dhe 20 për programet studimore për matematikë.

Janë paraparë edhe 30 bursa për studentët që regjistrohen në vitin e parë të programeve studimore në institucione të arsimit të lartë për arsim të kuadrit mësimor në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm.

“Në konkurs janë theksuar të gjitha kushtet, kriteret dhe dokumentet e nevojshme për aplikim me qëllim të realizimit të të drejtës së përdorimit të çdo kategorie bursash. Këtë vit aplikimi është ekskluzivisht elektronik përmes portalit http://e-uslugi.mon.gov.mk dhe aplikimeve në letër përmes arkivit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nuk do të pranohen”, kumtoi MASH-i.

Të gjitha kategoritë e bursave ndahen për nëntë muaj gjatë vitit studimor dhe në një vlerë prej 6.050 denarë, me përjashtim të bursave për programet studimore për kimi, fizikë dhe matematikë, si dhe të rejat për shkenca bujqësore, veterinare dhe pyjore të cilat arrijnë në 18.000 denarë në muaj.