Aliu: Nga 97 deri në 227 paralele duale në vend dhe bashkëpunim me 450 kompani

Në ditën e fundit të prezantimit të shkollave të mesme profesionale në kuadër të fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm”, zëvendësministri për Arsim dhe Kulturë Lulzim Aliu i vizitoi shkollat e mesme profesionale të Prilepit, SHMK “Orde Çopella”, si dhe SHMK “Gjorçe Petrov”.

Siç kumtoi MASH, në kuadër të fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” e cila për të dytin vit radhazi Ministria e Arsimit dhe Shkencës po e zbaton me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane dhe projektin “Arsim për punësim”, që synon modernizimin dhe promovimin më të madh të arsimit të mesëm profesional, sot shkollat e mesme profesionale në Prilep dhe Manastir hapën dyert për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme, duke i njoftuar me drejtimet arsimore, programet-mësimore dhe kushtet për edukim që i ofrojnë në vitin shkollor 2022-2023 dhe duke i informuar për kompanitë që do të jenë pjesë të trajnimit praktik.

“Në disa prej aktiviteteve promovuese mori pjesë zëvendës-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, i cili ju bëri thirrje të rinjve nga këto dy qytete që të fokusohen në arsimin profesional, sepse siç theksoi ai ofron një perspektivë të mirë, mundësi më të mëdha për punësim të shpejtë pas përfundimit të procesit arsimor, si dhe bazë të mirë për avancim të mëtejshëm akademik. Ai u shpreh se kjo është porosia që ai jua dërgon të gjitha qyteteve që vizitoi gjatë kësaj periudhe, ndërsa në pritje të regjistrimeve në arsimin e mesëm që fillojnë nga mesi i muajit të ardhshëm ku për herë të parë do të zbatohet në mënyrë elektronike, që është një lehtësim shumë i madh për nxënësit dhe familjet e tyre”, thuhet në kumtesën e MASH-it.

Aliu përkujtoi se vetëm për një vit e gjysmë nga 11 paralele duale, aktualisht janë hapur 97, ndërsa nga viti i ardhshëm shkollor do të funksionojnë 227, në bashkëpunim me 450 kompani që praktikisht do t’i trajnojnë nxënësit drejtpërdrejt në proceset prodhuese dhe organizative. Siç u shpreh ai, ky është rezultat i fushatës së suksesshme “Mëso me mençuri puno me profesionalizëm ” me çka shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit e fushatës së njëjte.

Zëvendësministri Aliu theksoi gjithashtu se edhe kushtet në shkollat profesionale janë duke u përmirësuar vazhdimisht me investime të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke bërë të ditur se së shpejti do të realizohen në tërësi pikërisht dy investime të tilla, gjegjësisht po përfundohen punimet për zëvendësimin e fasadës dhe zdrukthëtarisë së brendshme në SHMK “Orde Çopella”, si dhe fasada dhe dyshemetë në SHMK “Gjorçe Petrov”.