Policët e Tetovës do t’i edukojnë nxënësit për pasojat e përdorimit të drogës

 Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë filloi me zbatimin praktik të dy projekteve të reja parandaluese-edukative “Parandalimi nga keqpërdorimi i drogës, alkoolit dhe cigares” dhe “Parandalimi nga tregtia me njerëz dhe fëmijë”. Bartës është Departamenti për Parandalim, ndërsa në kuadër të këtij projekti do të përfshihen rreth 3000 nxënës të klasave të teta nga shkollat e Tetovës dhe Gostivarit të cilët ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke.

“Nëpunës policorë të trajnuar profesionalisht më afër do t’i njoftojnë nxënësit me rreziqet nga sëmundjet e varësisë dhe para së gjithash nga konsumimi i drogës dhe alkoolit. Përveç kësaj, do tu tregohet edhe për pasojat e dëmshme shëndetësore, sociale dhe shoqërore nga veset e tilla, por edhe implikimet ligjore. Nxënësit e klasave të teta, gjithashtu, do të informohen edhe për atë si ta dallojnë përfshirjen e tyre eventuale në tregtinë me njerëz, çka nënkupton kjo dhe cilat mund të jenë pasojat. Nxënësve do tu prezantohen edhe shembuj konkretë të tregtisë me njerëz dhe nevoja që të jenë deri në fund të kujdesshëm dhe të shmangin kontakte me persona të panjohur ose përmes rrjeteve sociale, ndërsa të cilët më shpesh i gënjejnë dhe u ofrojnë takime, para ose sfida”, informoi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Projektet të cilat zhvillohen paralelisht planifikohet të përfundojnë deri në fillim të muajit të ardhshëm. /Koha.mk/