Nga Ramadan MusliuProjekti më i ri historiografik i Jusuf Buxhovit, “Maqedonia nga antikita deri te koha jonë” është një shembull ilustrativ i pohimit të dijetarit të njohur austriak se historia ka për funksion “zgjerimin dhe fuqizimin e botës sonë mendore, falë njohjes së thelluar të zhvillimit të përjetshëm moral” (Johann Gustav Droysen, Grundriß der Historik). Historia e Maqedonisë vjen pikërisht në një moment historik kur po bëhet ridefinimi i identiteteve etnike por edhe i atij shtetëror i shqiptarëve në shtetin të sotëm të quajtur Maqedonia e Veriut, e cila është “suksesore” e pjesërishme e territorit të Maqedonisë antike. Autori me një qasje metodologjike tashmë të identifikueshme si një sintezë e gjerë e dijes dhe informacionit për periudha përkatëse, ke ndërtuar një sistem kritik dhe rivlerësues të procesit historik, trajton edhe Maqedoninë, në dy plane kryesore: në korelacionin Maqedoni antike, si monarki dhe si perandori globale botërore me Maqedoninë e Veriut tashmë, si një sajesë politike në një teritor të tjetërsuar etnikisht, dhe, si plan i dytë referencial del ndjekja e vazhdimësisë etnike të hapësirës maqedone që nga antikiteti e deri në aktualitet, vazhdimësi kjo që favorizon popullatën autoktone, domethënë atë shqiptare.Duke trajtuar Maqedoninë si konstrukt politiko-juridik, që nga Maqedonia antike e Filipit e veçmas e Aleksandrit të madh, krijuesit të një perandorie globale botërore, autori merret me thyerjen e tabuve politikë që janë krijuar gjatë periudhave të ndryshme e sidomos shfaqjen e Maqedonisë si një çështje sllave, si pasojë e implikimit rus në Ballkan dhe e Krizës lindore, të cilës i ka ndihmuar edhe inteligjencia romantike europiane, e cila idealizmin kulturor e hodhi në rrafshin politik, duke u përpjekur të krijojë madje edhe entitete shtetërore.
Të gjitha këto probleme, deri tek periudha e fundit, ajo e krijimit të shtetit maqedon nga Tito, si shkëputje e suksesshme e Maqedonisë nga sfera e interesit politik serb, bullgar e grek, e deri tek riemërtimi i këtij shteti në Maqedoni e Veriut, autori i vështron në kontinuitet, duke ndërtuar një rend kronologjik sipas periodizmit nga historia e përgjithshme, duke filluar me antikitetin. Autori, duke u mbështetur në një faktografi të tërë, problemin maqedon e nxjerr jashtë sferës sllave, të cilët shfaqen në Ilirik nga mesi i shekullit VII , Maqedoninë e trajton si një hapësirë dhe etni që vjen nga degëzimet pellazge, të vendosur në trekëndëshin mes ilirëve, thrakëve dhe dardanëve, madje duke i përafruar me dardanët si suksesor të perandorisë së hershme po ashtu të një koncepti botëror të perandorisë së tyre që gjen inkarnim në atë maqedone të Aleksandrit të madh. Duke trajtuar fillesën maqedone, së pari në domenin e mitit mbi Makedonin si të birin e Zeusit, apo të birit të LIkaonit, të birit të Pellazgut, pra si nip i Pellazgut apo edhe si të birit të perëndsisë egjiptase, Ozirisit, megjithatë origjina e tij mbetet pellazge, domethënë e përbashkët me popujt të tjerë më të cilët ishte i rrethuar, me Brygët, Pajonët apo dardanët, siç i njeh G.F. Hani, dhe ilirët e thrakët që janë të një gjaku sa na e kujton pohimin e Georgievit, i cili thotë se maqedonët, epirotët, thrakët e madje edhe ilirët e flasin të njejtën gjuhë. Kësisoj historia edhe antike edhe e tanishme e Maqedonisë është ë pashkëputshme nga kompleksi pellazg e veçanërisht e lidhur me atë dardane, të cilët, sikurse edhe me Tribalët, kanë bërë lufta të pandërprera, si karakteristike e luftërave brenda llojit të fiseve pellazge.Pas rënies nën sundimin e Perandorisë romake roli i maqedonëve vjen duke u zbehur sa ata shkrihen në etninë dominuese, atë liro-dardane, duke ruajtur vetëm tiparet gjuhësore dhe kulturore, por edhe famën e dikurshme me të cilën do të lidhet edhe vetë Skënderbeu duke u cilësuar si princ i maqedonëve dhe i epirotëve. Mengadalë Maqedonia vjen duke u zbehur si entitet shtetëror dhe si bartës i dikurshëm i një perandorie gjithëbotërore. Një përpjekje për ta faktorizuar, përkatësisht për ta politizuar, bëhet me ardhjen e sllaveve, përkatësisht sundimi bullgar i këtyre trojeve, çështje që ende nuk është ndriçuar sa duhet shkencërisht. Manipulimet e mëdha bëhen nga politikat shtetërore të dy shteteve, bullgarëve dhe serbeve, sidomos ne periudhën e ekspansionit të tyre gjatë shekullit XIX dhe XX, periudhë kur në Serbi zë fill shkolla nacional-historike e themeluar nga Garashanini, modelet e të cilës edhe sot i ndjekin historianët shqiptar, duke pranuar të gjitha falsifikatet e tyre. Po kaq rol në këtë spekulim historik kanë edhe bullgarët, të cilët një gjuhë liturgjike, çfarë ka qenë sllavishtja, mundohen ta bëjnë një gjuhë të perandorisë bullgare më një shtrirje të gjerë në Ilirik.Me invanzioni osman problemi maqedon, deri në fazën e dekompozimit të kësaj perandorie, mbetet si i margjinalizuar ngase statusi i saj është i njëjtë me të gjithë shqiptarëve. Maqedonia, pjesa më e madhe e territorit të sotëm, hyri në kuadër të ndarjes administrative të kohës, si Vilajet i Manastirit, kurse në planin global popullata edhe kulturalisht edhe politikisht është unijon me ato të vilajeteve të tjera dhe përpjekjeve për pavarësim. Vetëm më shfaqjen e krizës lindore, domethënë me implikimin rus në Ballkan, Maqedonia imponohet si një çështje e kohës që duhet të shkojë në kuadër të procesit të defaktorizimit të elementit shqiptar, ndonëse gjatë kësaj periudhe edhe në këtë pjesë shqiptare ka përpjekje për inkuadrim në proceset politike që do të shpinin nga shkëputja prej Perandorisë otomane. Implikimi rus nënkupton implikimin sllav, përpjekjet serbe dhe bullgare që të marrin në administrim këtë hapësirë, lëvizje që shkojnë në disfavor të elementit shqiptar, Madje kjo krizë rezulton edhe në luftëra ballkanike, pas të cilave territori maqedon trajtohet si pjesë e Serbisë së vjetër, gjithnjë në pajtim me spekulimet dhe falsifikimet historike serbe.Megjithatë shqiptarët, përkundër këtyre përpjekjeve janë element aktiv, ngase marrin pjesë në të gjitha proceset e rëndësishme të Perandorisë osmane, për të mos thënë se janë faktori kryesor në lëvizjen xhonturke, nga e cila shqiptarët dalin të deprimuar. Brenda këtyre rrethanave Manastiri, por edhe Shkupi behën qendra të rëndësishme të lëvizjeve politike dhe kulturore shqiptare, qoftë kur është fjala për organizimin e Kongresit të alfabetit të (1908) në Manastir apo përpjekjet që Shkupi të bëhet qendër politike e lëvizjes për pavarësinë s Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe e mbizotëron ideja e integralizmit kombëtar, ide që gjithnjë do të zbehet pas krijimit të shtetit shqiptar me shpalljen e pavarësisë në Vlorë në fund të nëntorit të vitit 1912. Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore shqiptarët e Maqedonisë, të mbetur nën tutelën serbe, i nënshtrohen një presioni të madh që është një lloj specifik i gjenocidit ngase në këtë kohë bëhet marrëveshja e njohur e Lloznaës mes Serbisë dhe Turqisë, me të cilën bëhen një shpërngulje masovike për në Turqi. Studiuesi Buxhovi, duke ndjekur parimin e objektivitetit shkencor, bën edhe zbardhjen e disa të vërtetave të kamufluara nga historiografia sllave, veçanërisht kur është fjala për proceset politike mbi të cilat kinse është mbështetur tradita e popullit maqedon, para se ai të identifikohet si një nacion, merret vesh i kamufluar. Ndër këto ngjatje është pa dyshim Kryengritja e Ilindenit dhe Republika disaditëshe e Krushevës, që është një lëvizje e nxitur nga bullgarët dhe ku shqiptarët u përdorën si një burim i konfliktit reciprok, në njërën anë popullata ortodokse shqiptare e në anën tjetër, ajo e besimit islam. Këtë ngjarje tragjike dhe pa ndonjë peshë historike më vonë përpiqen edhe disa qarqe politike ta marrin si një aktivitet të përbashkët maqedono-shqiptar, duke i dhënë konotacione politike të kohës së vet.Megjithatë, në këtë periudhë, të cilën autori i cilëson si rikthim të Jugosllavisë, kur ndodh edhe një rindarje administrative e Maqedonisë, duke marrë statusin e një banovine, e ashquajtur e Vardarit, kur ndodh dominimi i elementit sllav, në radhë të parë i atij serb, i cili Maqedoninë e shndërroi pas asnjë bazë historike, etnike dhe politike në “Serbi të vjetër”, megjithatë Maqedonia, përkatësisht Shkupi, mbetet si një epiqendër e zhvillimeve kulturore ehe politike e shqiptarëve sepse dominanca entike ishte ajo që e përcaktonte qoftë edhe kuantitativisht zhvillimet e të gjitha sferave.Kapitull më vetë në libër dhe që gjen në trajtim shkoqitës është ai “ Republika e Maqedonisë dhe Jugosllavia – Maqedonia krijesë e Titos”, problemi maqedon kalon nga një nivel gjeografik jo vetëm në nivel politik, por shtetëror, sepse kthesa e madhe që u bë në Jugosllavinë e atëhershme me Luftën e Dytë Botërore, bëri që Maqedonia të pushojë së qeni monedhe për kusuritje, sepse ajo shndërrohet në një entitet shtetëror dhe sllavët e kësaj hapësire katapultohen me identitet të ri, shndërrohen në komb maqedon, çështje që do të ketë pasoja të rënda për popullatën dominuese shqiptare të kësaj hapësire. E gjithë kjo ndodh me vendimet e Kuvendit të tretë të AVNOJ-it të mbajtur në Beograd më 1945, kur kinse me vullnetin e lirë të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë monarkiste i bashkohen shtetit të ri komunist. Në libër jepet një pasqyre e gjerë e zhvillimeve politike të kohës, por edhe ushtarake, të cilat, për shkak të politikës pragmatiste të Titos, arritën të largojnë pretendimet hegjemoniste serbe dhe bullgare nga Maqedonia, ndonëse me një kosto të madhe për etninë shqiptare. Në kuadër të këtyre proceseve një vështrim i rëndësishëm i bëhet edhe lëvizjeve nacionaliste shqiptare, organizimin e frontit antisllav, midis të cilave shquhet NDSH, që është një përpjekje e vonuar e implikimit euroatlantik në Ballkan, të cilët mendonin që përmes elementit shqiptar të bëjnë ndryshime në hartën politike jugosllave, pasi që e panë gabimin strategjik të Jaltës dhe konferencave të tjera. Edhe NDSH, sikundër edhe lëvizjet e tjera politiko-ushtarake dështojnë ngase inicimi i saj ishte vetëm një sprovë se çfarë mund të bëhej po qe se krijohet një momentum politik për ndryshimin eventual në këtë hapësirë.
Një hapësirë të gjerë zë trajtimi i zhvillimeve politike në vend gjatë periudhës së pas çlirimit dhe deri tek krijimi i shtetit të pavarur maqedon sikundër edhe analiza e shkaqeve politike që shpiejnë deri të shpërthimi i luftës së fundit në vitin 2001, të njohur si luftë e Ushtrisë çlirimtare Kombëtare. Edhe kësaj ngjarjeje me peshë, e cila çon deri të Marrëveshja e Ohrit, për të cilën autori mendon se është një përmbyllje e pa suksesshme politike e një luftë të suksesshme, i jep një tretman të duhur, duke e marrë si një ngjarje me peshë historike, duke i ndarë komponentet qenësore të saj, atë ushtarake, diplomatike dhe politike.Edhe kjo luftë nuk solli atë për të cilën ishin bërë sakrifica njerëzore, ndonëse në një rrafsh të të drejtave të njeriut u arrit një përparim, por jo edhe qëllimi themelor, shndërrimin e shqiptarëve në një faktor shtetformues, pa të cilin shteti Maqedonia e Veriut nuk mund te ketë perspektivë dhe ky status inferior do të jetë gjithnjë burim i krizave të reja.Edhe në këtë kapitull jepet një pasqyrë e gjerë e zhvillimeve politike në kuadër të të cilave përfshihet edhe spektri politik që nga themelimi, ridefinimi i programeve të tyre në varësi nga kushtet e reja të krijuara me kontekstin e ri politik.Në fund të themi se ky botim kapital për historinë e Maqedonisë, i cili pret një receptim dhe një qasje kritike historiografike, sepse rëndësia e tij është ajo që e bën të paevitueshëm një akt të tillë, duke qenë së është iunicues dhe frymëzues për trajtimin e çështjeve të shtruara në një plan më të gjerë, paraqet edhe një sukses shumë të madh të Jusuf Buxhovit si historian, që lirisht mund të konsiderohet si një pjesë komplementare të projektit Kosova në tetë vëllime, pasi që historia e kësaj hapësire është e pashkëputshme me historinë e Kosovës.…..
Marrë nga KOHA.MK