Në Qendrën për kulturë në Dibër u hap ekspozita “Etnografi” e piktores Genta Spahija Mirzo. Bëhet fjalë për një ekspozitë shumë interesante me që në pikturat e autores dominojnë karakteristikat tradicionale të veshjes kombëtare shqiptare të shumë trevave tona.
Hapjen e ekspozitës e bëri kryetari i Dibrës Hekuran Duka i cili theksoi se ekspozita “Etnografi” nga piktorja Genta Spahija Mirzo ka punime artistike të bazuara në tekstil që në thelb kanë veshjet kombëtare shqiptare të krahinave të caktuara të trevave tona shqiptare. Ai shtoi se ekspozita jep një mundësi që artdashësit dibran të kënaqen duke parë këta piktura me elementet të traditës tonë kombëtare.
Duke prezantuar ekspozitën autorja Genta Spahija Mirzo potencoi se në këtë ekspozitë me piktura veçmas është prezantuar elementi i veshjes të Shkodrës, vendlindjes të saj, dhe shtoi se edhe në ekspozitat të deritashme por edhe në të ardhmen do të vazhdojë të pikturojë elementet e folklorit të pasur edhe të trevave të tjera shqiptare. Në pikturat janë gërshetuar elementet e folklorit shqiptar ku dominojnë ngjyrat kuq e zi. “Ornamentet tona kombëtare janë teje të bukura me forma të ndryshme gjeografike”, tha piktorja Genta Spahija –Mirzo. Edhe në këtë ekspozitë erdhi në shprehje veshja e malësoreve nga Malësia e Shkodrës, e cila me ngjyrat e saj mahniti dibranët.
Kjo ekspozitë e cila është përkrahur si projekt nga ministria e Kulturës së RMV-së, si edhe nga komuna Dibër dhe Qendra për kulture –Dibër , është ekspozita e dytë e piktores në Dibër, me që para do kohësh ajo në Galerinë e qytetit e prezantoi edhe ekspozitën “Eleganca”. Autorja e ekspozitës Genta Spahija Mirzo, për gazetën KOHA deklaroi se në këtë fazë të aktivitetit artistik të saj – ka për qëllim që të prezantojë folklorin e pasur kombëtar nga të gjithë krahinave shqiptare.
Drejtori i Qendrës për kulturë Zinçe Mimidinoski informoi se ekspozita “Etnologji” për të cilën ka një interes të madh në Dibër do të jetë e hapur deri më 25 dhjetor. Sipas tij hapja e kësaj ekspozite ka pasuruar programin vjetor të aktiviteteve kulturore të këtij institucioni të vetëm kulturor në Dibër dhe rajon. (koha.mk)