COVID-19 ka prekur fëmijët në një shkallë të paprecedentë, duke u cilësuar kështu kriza më e madhe dhe më e rëndë për fëmijët në 75 vite sipas UNICEF.
“Pandemia ka qenë kërcënimi më i madh për përparimin e fëmijëve në 75 vite. Ndërsa numri i fëmijëve që janë të uritur, që nuk shkojnë në shkollë, që janë të dhunuar, jetojnë në varfëri ose janë detyruar të martohen po rritet me shpejtësi, numri i fëmijëve me akses në kujdesin shëndetësor, vaksinat, ushqimin e mjaftueshëm dhe shërbimet thelbësore, po zvogëlohet.
“UNICEF ka ndihmuar në formimin e mjediseve më të shëndetshme dhe më të sigurta për fëmijët anembanë globit, me rezultate të shkëlqyera për miliona prej tyre”, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore.
Sipas raportit, rreth 100 milionë fëmijë të tjerë jetojnë në varfëri për shkak të pandemisë, një rritje prej 10 për qind që nga viti 2019. Kjo korrespondon me afërsisht 1.8 fëmijë çdo sekondë që nga mesi i marsit 2020, raporton abcnews.al
426 milionë fëmijë, gati 1 në 5 jetojnë në zona konflikti që po bëhen më intensive dhe po shkaktojnë më shumë viktima, duke prekur në mënyrë disproporcionale fëmijët. Gratë dhe vajzat janë më të rrezikuara nga ngacmimet seksuale për shkak të konfliktit.
80% për qind e të gjitha nevojave humanitare po rrezikohen nga konflikti. Po kështu, afërsisht 1 miliard fëmijë, gati gjysma e fëmijëve në botë jetojnë në vende që janë të rrezikuara nga ndikimet e ndryshimeve klimatike.