Prokurorët bullgarë thonë se kanë gjetur 44 trupa dhe nuk e dinë ku mund të jetë edhe një trup. Ata thonë se kanë marrë informacion se në autobus kanë udhëtuar 52 udhëtarë, ndërsa në spital mjekohen 7 persona. Sipas zëvendësit të prokurorit kryesor, dyshohet se një udhëtar ka vendosur të udhëtoj me një autobus tjetër të “Besa trans”, që gjithashtu ishte në turën për Turqi.
Mileva, prokurore
“Të gjitha të lënduarit, sipas mjekëve janë në gjendje të mirë, por janë në gjendje të rëndë psikologjike. Isha me prokurorin kryesor të Maqedonisë në vendin e fatkeqësisë dhe i pash trupat. Kjo përgjithmonë do të jetë e ngulitur në memorien time. Ishte e tmerrshme, Kur i vizitova në spital, njëri dëshironte të shkonte në toilet, njëri të fliste me nënën, tjetri e kërkonte djalin, që kishte mbetur në autobus. I gjetëm 44 trupa, në spital janë 7 persona. Kemi informacion se kanë udhëtuar 52 udhëtarë. Mbetet një dilemë e madhe, se ku është personi I tetë? Po punojmë për këtë version”.
Zv/prokurori kryesor i Bullgarisë, Borisllav Sarafov ka thënë se personat që kanë vdekur në aksidentin tragjik në Bullgari kanë humbur jetën si pasojë e ngufatjes, dhe jo si pasojë e goditjes e as shpërthimit.
Dyshimi kryesor i prokurorit bullgar është gabimi njerëzor për shkaktimin e aksidentit. Ai hodhi poshtë versione për atë se si është shkaktuar zjarri.
“Versioni për transportimin e naftës nuk është e saktë. Ka pasur tre tuba, me mbetje të naftës. Nuk kanë qenë të mbushura. Zjarri nuk është shkaktuar nga ajo. Nuk ka tuba të benzinës ose materialeve tjera të cilat mund të ndizen, përveç asaj që ka qenë ën autobus. Sot hetimet vazhdojnë, po shihen dhe analizohen mbetjet e autobusit, po shihet nëse mundet zjarri të jetë shkaktuar nga një defekt. Duhet ta pastrojmë këtë dilemë. Tani po dyshojmë për gabim njerëzor. Sa i përket rrugës, ajo pjesë është e tmerrshme. Nëse ka pasur gabim njerëzor ajo është ndihmuar nga organizimi i keq i lëvizjes dhe nga sinjalizimi”.