Anemia si pasojë e mungesës së hekurit është një nga llojet më të përhapura të sëmundjes. Megjithatë shumë njerëz janë të pavetëdijshëm për simptomat e anemisë.
Kur njeriu vuan nga mungesa e hekurit, organizmi nuk prodhon dot rruaza të mjaftueshme të kuqe të gjakut. Gjakderdhja është një nga shkaqet më të përhapura të mungesës së hekurit.
Nga të dhënat ndërgjegjësimi për simptomat e anemisë mund të ndihmojë njerëzit të shmangin komplikacione të panevojshme e të rrezikshme shëndetësore.
Shenjat paralajmëruese të anemisë
Simptomat e sëmundjes janë të ndryshme dhe në varësi të llojit të anemisë.
Lodhje dhe mungesë energjie
Ekspertët thonë se lodhja e plogështia janë një nga simptomat më të forta të anemisë. Lodhja ndodh si pasojë e mungesës së rruazave të kuqe të gjakut që transportojnë oksigjen në mbarë trupin. Njerëzit që vuajnë nga anemia ankohen shpesh që janë vazhdimisht të lodhur, të drobitur e pa energji.
Ankthi
Ankthi që shoqërohet me rritje të rrahjeve të zemrës është gjithashtu një simptomë e anemisë. Zemra pompon më shumë gjak në përpjekje për të marrë më shumë oksigjen. Një gjë e tillë shkakton rrahje të shpejta të zemrës.
Sëmundja dallohet nga sytë
Një tjetër shenjë paralajmëruese e anemisë vërehet tek sytë. Pjesa e poshtme e syve përmban shumë vena të holla ku kalon gjaku. Nëse kjo zonë duket e zbehtë dhe nuk ka shenja të venave, atëherë me gjasa ju jeni anemikë.
Dhimbjet e kokës
Dhimbjet e kokës që shoqërohen me disa prej simptomave të lartprëmendura mund të tregojnë praninë e anemisë dhe të mungesës së oksigjenit. Nëse vëreni një gjë të tillë, këshillohet të bëni patjetër një konsultë tek mjeku.
Mpirjet
Nëse trupit i mungon gjaku i shëndetshëm, atëherë trupi vë në përdorim gjakun në gjymtyrë. Kësisoj, njerëzit anemikë janë më të priur të ndiejnë mpirje të këmbëve, krahëve dhe duarve.
Vështirësi në përqendrim
Vështirësia në përqendrim ose siç njihet ndryshe mjegullimi i trurit është një simptomë e anemisë. Kjo ndodh sepse mungesa e hekurit ndikon tek performanca në punë, përqendrimi dhe arsyetimi. Mungesa e hekurit ndikon gjithashtu tek humori, vendimmarrja dhe energjia.
Vështirësi në frymëmarrje
Njerëzit anemikë preferojnë të mos lëvizin shumë sepse ndihen të lodhur. Mungesa e oksigjenit nxit nevojën për frymëmarrje më të thellë. Falë këtij problemi, anemikët nuk mbushen dot me frymë.
Rrahje të çrregullta të zemrës
Anemia ndikon fort tek zemra. Hekuri është i nevojshëm për prodhimin e hemoglobinës, e cila transporton oksigjenin nga mushkëritë në pjesët e tjera të trupit. Mungesa e oksigjenit ka një ndikim dramatik në sistemin kardiovaskular. Një gjë e tillë e lodh dhe e dëmton zemrën.
Pagjumësia
Nëse keni vështirësi për të bërë një gjumë të mirë, atëherë mund të vuani nga anemia. Cilësia e gjumit prishet ndjeshëm nga mungesa e hekurit, një problem që mund të prekë fëmijë dhe të rritur.