Në vend se në bankat shkollore, fëmijët e fshatit Bërnjarc dhe Idrizovë të komunës Gazi Babë, ditën e dytë të shkollës e kaluan duke lozur me top rrugëve të fshatit. Kjo për shkak se kanë hyrë në bojkot. Prindërit e fëmijëve të fshatit Bërnjarcë kërkojnë që procesi mësimor të realizohet në shkollën e fshatit dhe jo në shkollat e Haraçinës, ku duhet të bëjnë rrugë në këmbë mbi tre kilometra.
“Tash jam në klasë të pestë por nuk jam duke shkuar në shkollë se rruga larg. Nuk na lën me mësu këtu afër në Bërnjarc. Unë dua shumë me shku në shkollë dhe me i mësuar detyrat”.
“Nuk kam shku në shkollë, kam dal të luaj me fëmijët. Shumë dua të shkoj në shkollë, të I bëj detyrat dhe të marr pesa. Shumë po më mungojnë shoqet e klasës”.
“Në Haraçinë po frikohemi me shku, shumë makina dhe qen ka, edhe larg është. Sot, çka ke bë që nuk ke shku në shkollë? Mbasi nuk shkojmë në shkollë, kam dal të luaj me shokët”.
Pavarësisht se fëmijët do të humbin nga procesi mësimor, prindërit janë të vendosur për bojkot deri në zgjidhjen e problemit.
“Si prind I këtyre fëmijëve nuk do ti lejoj me shku në shkollë derisa të zgjidhet ky problem”
“Deri të zgjidhet ky problem ne nuk I dërgojmë fëmijët në shkollë. Ne bëjmë kërkesa ato na refuzojnë. I lusim mos të na refuzojnë shumë herë e me na mbet fëmijët pa shkollë”.
Bajram Bejta nga këshilli I prindërve në Idrizovë shprehet I revoltuar nga mosinteresimi I institucioneve përkatëse për fatin e fëmijëve në Idrizovë. Ai shtoi se edhe këtë vit rreth 80 fëmijë nga klasa e parë e deri në atë të nëntë do të humbin nga mësimi për shkak se nuk lejohet mësimi shqip në shkollën fillore “Njegosh” në JURUMLERI.
“Nëse nuk e marrin këtë punë për seriozitet atëherë parashtrohet pyetja ku është demokracia dhe ku është e drejta sepse çështja e paraleles në gjuhën shqipe është e garantuar me ligj. Posaçërisht ne thirremi në marrëveshjen që kemi bë prindërit më kryetarin e komunës para tre vjetëve ku thuhet se derisa të bëhet shkolla e re në Idrizovë, fëmjët do të vazhdojnë shqip në klasën gjashtë, shtatë, tetë këtu në” Petar Petroviç Njegosh” në Jurumler”- deklaroi Bajram Bejta, këshilli I prindërve në Idrizovë.
Për dy problemet në fjalë edhe sot nuk morëm përgjigje nga Komuna e Gazi Babës. Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë mw shumw se njw dekadw kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit. Mirëpo vendimi për shkollë të re mbeti vetëm në letër.
Burimi: ALSAT