PAMJE NGA DRONI/ Ngrihet si një helikopter, fluturon si një aeroplan

Kompania UAV Factory kohët e fundit prezantoi dronin e saj të fundit Penguin C Mk2 VTOL, bazuar në teknologjinë inovative “Aeroflow boom” që zvogëlon fërkimin gjatë fluturimit horizontal, i cili zgjat autonominë me 20 për qind.

Sipas të dhënave, përcjell Telegrafi, droni ngrihet dhe ulet vertikalisht, si të gjithë dronët e tjerë të ngjashëm.

Por kur ngrihet në një lartësi të caktuar, rotorët do të fshihen në trupin e majtë dhe të djathtë dhe kuadopteri do të vazhdojë të fluturojë drejt qëllimit të tij si një aeroplan, i mundësuar nga helika e pasme.

Kur rotorët tërhiqen, fluturakja thuhet se fiton ndjeshëm në aerodinamikë.

Madje, siç pretendohet, ky dron mund të ngrihet dhe të ulet në erëra deri në 55 km/orë, dhe është në gjendje të fluturojë në temperatura midis -40 dhe +50 gradë Celsius.

Kompania letoneze-amerikane prodhon Penguin C Mk2 VTOL në dy versione.

Njëri është civil dhe ka për qëllim vëzhgimin dhe xhirimet ajrore, ndërsa modeli taktik ushtarak përdoret për mbikëqyrje, spiunazh dhe gjurmimin e objektivave në lëvizje.