Mbrëmjen e djeshme është hapur në Francë festivali i 72-të i filmit në Kanë, që do të vazhdojë deri më 25 maj.
Filmat do të vlerësohen për Palmën e Artë nga një juri me 9 anëtarë, e drejtuar nga regjisori i serisë së filmave “Mad Max”, George Miller. Festivali i Kanës do të zhvillohet poshtë yjeve, në një kinema në plazh.
Sylvester Stallone, i cili nuk kalon asnjëherë pa u vënë re, rikthehet në këtë festival për të promovuar “Rambo V – Last Blood”, i filmuar pak muaj më parë.
Pas njoftimit zyrtar për edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit, u zbulua lista e filmave që do të konkurrojnë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, pjesë e tyre edhe filmi shqiptar.
Në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër do të marrin pjesë 11 filma ku 9 prej tyre janë fantashkencë, 1 është dokumentar dhe filmi tjetër është vizatimor, nga Shqipëria, Argjentina, Franca, Finlanda, Greqia, Israeli, Ukraina, Suedia dhe SHBA- të.
Filmi shqiptar “The Van” (Furgoni), nga Erenik Beqiri do të konkurrojë për herë të parë në festivalin e filmit në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër.
Filmi flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues/ATSH.