Të tregoheni të sjellshëm dhe të respektoni kolegët tuaj të punës krijon padyshim një ambient pune të qetë dhe pa konflikte. Por të mundoheni të tregoheni “më të mirë seç duhet” ka padyshim një kosto e cila bie në kurriz të suksesit profesional personal dhe gjithashtu të rritjes së skuadrës.
Sipas një studimi të kryer së fundmi, ku u intervistuan 1,000 punonjës me kohë të plotë në kompaninë “Fierce” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 63 për qind e tyre thanë se kanë zgjedhur që mos t’i kritikojnë kolegët e tyre të punës dhe të mos ndajnë pakënaqësi të ndryshme që mund të kenë ndaj tyre, vetëm e vetëm për të mos u dukur shumë agresivë dhe aspak bashkëpunues. Mbi të gjitha për të mos u parë me një sy negativ nga kolegët e tyre.
Ato që kryesojnë listën janë gratë me 69 për qind ndaj burrave me 59 për qind, që kanë zgjedhur të mos i kritikojnë kolegët e tyre, edhe pjesërisht nga frika për të mos u përballur më pas me pasojat e një sjelljeje të tillë.
Mos e shmangni përballjen
Punonjësit e kompanisë “Fierce” pohuan se për ta është shumë i rëndësishëm mendimi i kolegëve të tyre dhe prandaj ata mundohen që të tregohen sa më të sjellshëm. Ka edhe disa arsye të tjera se përse ata kanë vendosur të sillen në këtë mënyrë: në punë vihet me më shumë dëshirë kur e di që do të presë një ambient pune i këndshëm dhe pa konflikte dhe se sjellja e mirë e lehtëson procesin e kryerjes së detyrave.
“Është vetë natyra e qenies njerëzore që priret të tregohet sa më e mirë me të tjerët”, shprehet Stacey Engle, Presidente e Fierce. “Madje që kur jemi të vegjël ne na edukojnë që të jemi sa më të sjellshëm me bashkëmoshatarët tanë”, vazhdon më tej znj. Engle.
Por pikërisht këtu duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të kuptojmë dallimin ndërmjet të treguarit të sjellshëm dhe të treguarit më të mirë seç duhet.
“Nëse nuk keni diçka për të thënë, mos flisni, nuk keni pse të shpikni domosdoshmërish diçka. Nëse tregoheni të sjellshëm dhe më të mirë seç duhet dhe mbi të gjitha të shmangni përballjen, për të mos rrezikuar që të dukeni të paedukatë apo agresivë, mund të ketë pasoja akoma më të rënda dhe shumë më të pakëndshme se një kritikë e sinqertë (sado e ashpër që mund të jetë).