Dita botërore për siguri dhe shëndet gjatë punës, 28 prill, këtë vit shënohet në kushte të krizës globale shëndetësore nga koronavirusi, njofton Portalb.mk.
Duke u fokusuar në pandeminë e Kovid-19, kjo ditë shënohet me moton “Ta ndalojmë pandeminë: Siguria dhe shëndeti gjatë punës mund të shpëtojnë jetë!”“
“Punonjësit dhe punëdhënësit janë të ekspozuar para sfidave të mëdha dhe të papritura, duke u përpjekur të mbrohen dhe të përballen me kërcënimin nga përhapja e virusit dhe pasojat nga sëmurja. Mbrojtja e shëndetit të punonjësve dhe e popullatës në tërësi, në këtë periudhë është prioriteti jonë kryesor dhe më i lartë i përbashkët. Pikërisht në këtë kohë pandemie, ndërmarrja e masave përkatëse në fushën e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës (SSHP) ka ndoshta edhe një nga rolet më të rëndësishme në parandalimin dhe luftën kundër përhapjes së infeksionit, ndërsa me atë edhe në mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe të popullatës në tërësi”, theksuan nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, MPPS.
Shtohet që të gjithë në mënyra të ndryshme janë fortë të goditur nga kjo gjendje e papritur krize, biznese të mbyllura ose procese të cenuara afariste, restrikcione në lëvizje dhe udhëtim, institucione të mbyllura arsimore dhe kulturore si dhe masa tjera të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe drastik mbi punonjësit dhe ndërmarrjet.
“Veçanërisht është e rëndësishme që punëdhënësit t’i ndërmarrin të gjitha masat për mbrojtje të shëndetit të punonjësve dhe të parandalojnë transmetim të infeksionit, veçanërisht në kushte kur pritet relaksim gradual i masave dhe ndalesave të miratuara nga Qeveria. Është jashtëzakonisht me rëndësi që menaxhimi me rreziqet të bëhet ashtu që të mos rrezikohet progresi i arritur në kufizimin e infeksionit dhe përhapjes së virusit”, kanë deklaruar nga MPPS.