Nuk kanë se si t’i përgjigjen thirrjes “Rri në Shtëpi”, pasi kjo fjali për familjen Veli nga Hipordomi nuk ka asnjë kuptim. Kjo tendë për rreth një javë është bërë shtëpia tyre, pasi janë larguar nga banesa të cilës nuk kanë arritur të ja paguajnë qeranë. Familja tre anëtarëshe me vogëlushen vetëm 2 vjeçare, kanë pësuar më së shumti nga kriza e koronavirusit. Kryefamiljari Drilon Veli, është jetim që në moshën 6 vjeçare, deri në moshën 18 vjeçare ka jetuar në jetimore, pastaj ka punuar shumë për të paguar qera dhe tashmë disa ditë humbi fillimisht punën, ndërsa më vonë edhe banesën ku ishte i strehuar me familjen e tij. Me paratë e parafundit ka blerë këtë “shtëpi të improvizuar” ndërsa me pjesën tjetër ka siguruar për ushqimin e Exhes dyvjeçare.
“Nëse do të kisha një kulm mbi kokë” tha ai, “besoj se asgjë tjetër nuk do të na mungonte” dhe me këtë kërkoi nga njerëzit human që t’i zgjasin dorën e mëshirës, pasi nuk arrin të mbulojë shpenzimet e ushqimit dhe qerasë njëkohësisht.
Drilon Veli, kryefamiljar
“Kam punu normal në jetë, e kam pas qiranë pak shtrenjtë, por kur ndodhi kjo kriza me koronavirusin puna u dobësu, mbeta edhe pa punë, nuk pata mundësi me pagu qeranë dhe u detyruam me dal me shator, kemi shku e kemi ble 20 euro shatorin, erdhëm këtu edhe ashtu mbetëm. (a kanë qenë ato 20 eruot fundit), të përafundit valla, se kemi ble edhe ushqime çfarë mundëm…. nuk muj me përshkru sa është rëndë, se kjo është pika e fundit që i ndodh dikujt, unë vetë personalisht nuk e kam as nënën as babanë se i kam humbur prej në moshën gjashtë vjeçare. Një kohë e kam kalu në jetimore, deri në moshën 18 vjeçare, pastaj vazhdova jetën vet me qera me punë… Prej njerëzve human e kërkoj vetëm një gjë, një kulm mbi kokë edhe asgjë tjetër, punën mundem ta gjej, mundem me punu, por nuk mund ta arrij edhe të paguj qera edhe ushqime edhe asgjë. Nëse do ta kisha një kulm mbi kokë, besoj se nuk do të mungonte asgjë”.
Në kushte si këto ku e githë siparfaqja e shtëpisë është e ndërtuar vetëm me najlon, kryefamiljarja Bengyl e ka shumë të vështirë të mendoj se si të përgatis ushqimin për muajin e Ramazanit. Nuk kanë as ku të pastrohen. Ushqehen vetëm me ushqime të thata dhe gjithçka që një bombole gazi mund të ua jep mundësinë ta përgatisin. Ajo thotë se Exheja dyvjeçare nuk e ka idenë se çfarë po ndodh, duke nënvizuar se ndërkohë që prindërit e saj mundohen t’i sigurojnë kushtet elementare për jetë, vogëlushja mendon se ndodhen aty sepse po luajnë.
Bengyl Veli, kryefamiljare
“…Nuk kemi asgjë përveç kësaj. Është shumë rëndë, hamë ushqime të thata, nuk mund të përgatisim më shumë përveç se një çaj një çaj kafe, kështu diçka edhe ndonjë vezë, pasi ushqimin e bëjmë me bombole gazi. Rëndë është ramazani… çika lun, nuk e kupton, ajo është e vogël, asaj i duket si lojë, ajo kënaqet me neve është e lumtur, këto janë kushtet, ajo prap luan me lodrat e veta, mundohemi që ajo ta ketë sa më mirë….. Po jo, nuk kena mundësi, vetëm me palloma të lagura, nuk kemi mundësi me u pastru më shumë….Mas shumti kemi nevojë për shpi, për një kulm, një dhomë për neve… edhe normal punë për burrin… për mu.. si të ketë mundësi ashtu. Edhe të familjes time na ka ndihmu me ushqim, 5 nat kena flejt këtu…ata nuk kanë mundësi me nejt me ata, janë ngushtm e kam vllavin, nuk i kanë kushtet nuk munden. A burri jem është jetim, nuk ka familje, domethënë nuk kemi ku të mbështetemi, përveç ne vetëm vet.“
Një park publik përreth autostradës, një tendë anëtarët e të cilës nuk gjejnë heshtjen, një frikë për sigurinë e vogëlushes 2 vjeçare dhe një dëshirë e madhe që të kenë një kulm mbi kokë. Kështu e lamë këtë familje tre anëtarëshe, të cilët faleminderuan një familje humane, e cila dy netët e fundit u ka mundësuar të kalojnë në konakun e tyre.
Burimi: Tv SHENJA