“Oscar”, Hatixheja nesër në tepihun e kuq, filmi ka ndikuar në shitjen e mjaltit

Filmi “Honeyland”,  përveçse se na solli çmime, bletarëve të vendit ua rriti shitjen e prodhimit. Kultivuesit e mjaltit thonë se protagonistja e filmit, Hatixheja, me historinë e saj ka bërë që qytetarët të interesohen dhe të kërkojnë më shumë mjalt.

“Kjo është një reklamë e mirë, sepse kështu po promovohet mjalti i Maqedonisë. Ne kemi rrëmbyer edhe medalje të arta dhe çmime për mjaltin më të mirë, sepse të tillë e kemi bio-diversitetin, specifik”, tha bletari Bllagoja Vasilevski.

Klima viteve të fundit nuk ka punuar në favor të bletarëve, atyre u pengon edhe spërkatja e pemëve me substancë toksike përgjatë lulëzimit, gjë që i vret bletët e më së shumti ndotja. Nga Federate e bletarëve të Maqedonisë thonë se në vendin tonë, mjalti shfrytëzohet vetëm si ilaç, e jo si ushqim i përditshëm, sikurse në vendet tjera. Mjalti pa etiketë nuk duhet të blihet nga qytetarët, thotë kryetari i federatës.

“Më së miri është që të blihet mjaltë nga një bletar që e njihni, që keni besim në të dhe gjithashtu tani bletarët po vendosin në kavanoze etikata, numrat e telefonave, emrin mbiemrin dhe vendin e prodhimit, e në këtë mënyrë nuk mundet që bletarët të bëjnë gjëra që nuk duhet dhe kemi kështu kontroll të pastër”, deklaroi Jane Markov nga Federata e Bletarëve.

Rosh Demerego, specialist i mjekimit të sëmundjeve me produkte të mjaltit, tha se Maqedonia ka potencial të lartë për prodhimin e mjaltit.

“Ka potencial shumë të madh në vendin tuaj. Duhet vetëm të veprohet me një program i cili do t’i siguronte bujqve dhe bletarëve të shkojnë një nivel më lart. Për momentin në tregun botëror një ton mjaltë kushton 2500 deri 3500 dollarë. Por nëse rritet cilësia ky çmim lehtë mund të shkojë në 4500 – 5000 dollarë. Në këtë aspekt duhet të punohet, në standardizim dhe rritje të cilësisë”, tha shkencëtari, Rosh Demerego.

Këto informacione u dhanë në simpoziumin e bletarëve.

E nesër Hatixheja e njohur, kultivuesja e mjaltit nga bletët e egra, do të shkel mbi tepihun e kuq të festivalit më të madh të filmit “Oscar” në Los Anxhelos. Filmi dokumentar “Honeyland” është i nominuar me dy çmime: Dokumentari më i mire dhe Filmi më i mirë i huaj.

Burimi: TV21