Në Maqedoni sot është ditë zie për tragjedinë në Turqi dhe Siri. Ndërkohë vazhdon edhe grumbullimi i ndihmave. Por këtë thirrje për ndihmë disa qytetarë e kanë shfrytëzuar për të pastruar dollapët e tyre, duke sjellë në sheshin e Shkupit rroba plazhi, taka e veshje popullore. Vullnetarët deri në mesnatë do t’i selektojnë të njëjtat.
“Nëpër rrjete sociale po qarkullojnë fotografi të qendrës së Shkupit ku pasqyrohet kjo pamje duke pretenduar se qendra e Shkupit është mbuluar me rroba apo mbeturina. Megjithatë, këto rroba janë donacion i qytetarëve të cilat do të dërgohen për në Turqi dhe nuk do të mbeten këtu në qendër e Shkupit, sepse vullnetarët, të cilët kanë marr iniciativën për të ndihmuar popullin turk dhe atë sirian janë akoma duke punuar për selektimin e rrobave, sepse jo të gjithë kanë sjellë rroba të përshtatshme”, raporton Evi Shkopi- gazetare.
Thirrjen për të ndihmuar më rroba disa qytetarë e kanë shfrytëzuar për të pastruar dollapët. Ndërkohë që njerëzve të goditur nga tërmeti u duhen çizme, batanije, xhupa, të cilat duhet të jenë në gjendje të mirë për t’i përdorur. Vullnetarët nëpër kutitë dhe qeset e dhuruara kanë gjetur, rroba plazhi, taka, gardërobë për parti apo edhe veshje popullore. Vullnetarët do të punojnë deri në orën 12 të natës. Deri tani drejt Turqisë janë dërguar 100 mijë paketa.
“Kemi akoma njerëz të cilët po bëjnë selektimin e rrobave, sepse ka diçka që mund të dërgohet për në Turqi, ka diçka tjetër që rrobat që I kanë pasur në shtëpi kanë ardhur I kanë hedhur këtu si mbeturina. Kanë dhuruar rroba që s’mund t’i dërgojmë. Kanë sjell rroba për plazh. Në s’ duam rroba plazhi, ne duam rroba për të shpëtuar dikë. Deri në mëngjes kanë punuar deri 200 persona vullnetarë. Tek porta “ Maqedonia” ka shumë kuti, rreth 2 mijë. U bëj apel të gjithë atyre që kanë kohë, të vijnë këtu dhe të ndihmojnë të bëjnë ndonjë kuti. Ende ka rroba që duhet t’i dërgojmë, çfarë janë mbeturina ndahen majtas”, u shpreh një vullnetar.
Në Maqedoni sot është ditë zie, flamujt në institucionet shtetërore dhe përpara përfaqësive diplomatike janë në gjysmështizë. Vendimi është marrë dje nga Qeveria, si shprehje solidariteti dhe respekti për numrin e madh të jetëve të humbura të shkaktuara nga tërmeti katastrofik që ndodhi në Turqi dhe Siri më 6 shkurt. Numri i të vrarëve nga tërmetet, që nga dje ka shkuar në mbi 33 mijë. /Alsat.mk