LOGOS-A PROMOVOI DY LIBRA NË PANAIRIN E LIBRIT NË TIRANË

Nën moton “Shkupi në Tiranë”, ShB Logos-A në kuadër të panairit të librit Tirana 2022 me datë 19 nëntor, realizoi promovimin e dy veprave që i kushtohen qytetit të Shkupit.

Libri “Shkupi” i shkrimtarit Kim Mehmeti tashmë në një format të ribotuar u prezentau para të pranishmëve, ndërkaq promotor i kësaj vepre ishte Agim Baçi i cili për librin tha që, “i ndarë në 8 kapituj përshkrimet kalojnë nga një rindërtim i portretit të kohës që ka një qytet, në kapitullin pasues të banorëve që vijnë e shkojnë, si për të treguar se qyteti shpesh është një shtrat i përhershëm lumi, që e dërgon rrjedhën në detin e dashurisë dhe vdekjes “me të njëjtën rrjedhë dhe furi”.

Kurse libri “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve 1858-1944” përgatitur nga Skender Latifi zgjoi kurejshtjen e lexuesve si një vlerë e shtuar në historiografinë tonë. Promotori nga Instituti Albanologjik i Prishtinës Dr. Nuridin Ahmedi gjatë fjalimit të tij thekseoi se, “Lexuesit do të gjejnë të dhëna me interes nga fushat e gjuhësisë, historisë, gjeografisë, etnografisë, demografisë etj. Pra, biblioteka jonë, është pasuruar edhe me një botim për të kaluarën e Shkupit, parë në këndin e udhëpërshkruesve, publicistëve e diplomatëve, të cilët ishin njerëz të përgatitur me dije.”

ShB Logos-A përmes promovimit të librave të këtillë dëshmon se është një botues serioz që me zell të përkushtuar shpalos të vërteta historike.