Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) njofton shkollat në vend se aplikimet për Programin Rajonal të Shkëmbimit të Shkollave “Superschools” u hapën më 16 Shtator 202 dhe janë të hapura deri me 28 tetor, transmeton Portalb.mk.
RYCO Superschools është program për shkëmbimet e shkollave në Ballkanin Perëndimor që mbështet proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, mësimin ndërkulturor dhe dialogun ndërmjet shkollave, studentëve dhe komuniteteve të tyre.
Duke marrë pjesë në këtë program, shkollat e mesme të përzgjedhura kanë mundësinë të realizojnë shkëmbime shkollë me shkollë si dhe të marrin pjesë në aktivitetet e programit kushtuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të tyre.
Çdo shkollë e mesme, publike apo private, nga Ballkani Perëndimor mund të aplikojë dhe të impementojë këto shkëmbime falë suportit të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), shpenzimet e shkëmbimit do të mbulohen për të gjitha shkollat e përzgjedhura.
Thirrja e mëparshme u dha mundësinë 60 shkollave dhe më shumë se 800 nxënësve të marrin pjesë në shkëmbime dhe kjo thirrje e hapur është projektuar për 100 shkolla dhe deri në 1200 nxënës.
Nëpërmjet platformës online www.superschools.net një shkollë e interesuar duhet të regjistrohet, të krijojë një profil online dhe të gjejë një shkollë partnere nga një pjesë e ndryshme e rajonit, më pas të identifikojë dhe propozojë aktivitetet e përbashkëta gjatë shkëmbimit.
Zbatimi i ciklit të dytë të shkëmbimeve do të zhvillohet nga Marsi deri në Tetor 2023 dhe secila shkollë partnere do të organizojë një vizitë shkëmbimi në atë partnere, me një grup të përfshirë me deri në 12 nxënës dhe 1 deri në 2 mësues me kohëzgjatje deri në 7 ditë.
Nëpërmjet skemës së shkëmbimit, studentët dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre te mikpritësit e tyre dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale në pjesë të ndryshme të rajonit tonë. Thirrja mbyllet në 28 Tetor 2022.
Programi Superschools RYCO është pjesë e një projekti me shumë donatorë “Skema e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor” të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
Ndryshe, RYCO është një organizatë ndërqeveritare që drejton dhe promovon bashkëpunimin rajonal dhe ndërkulturor të të rinjve brenda dhe ndërmjet gjashtë shoqërive të Ballkanit Perëndimor. Programet e RYCO-s fokusohen në krijimin e mundësive për të rinjtë që të përfshihen në aktivitete që ndërtojnë mirëkuptim dhe pajtim të ndërsjellë në fushat qytetare, sociale, arsimore, kulturore dhe sportive. RYCO inicion dhe merr pjesë në politikëbërje dhe advokon për reforma. Ai mbështet zhvillimin e një mjedisi politik dhe social që fuqizon dhe lehtëson shkëmbimin e të rinjve.