Studiuesi i dramës, Berat Dakaj (alias Armagedoni), ka botuar sot librin studimor “Dramat e Qosjes: (monografi)”, të cilin para disa vjetësh e ka pasur punim të diplomës së masterit, paraqitur dhe mbrojtur në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nën udhëheqjen e mentorit, prof. dr. Haqif Mulliqit.
Në këtë monografi janë analizuar, interpretuar dhe studiuar dramat e Rexhep Qosjes me titull Mite të zhveshura, në të cilën përmbledhje të dramave, në botimin e parë dhe të dytë të tyre, janë përfshirë dy drama dhe një monodramë, kurse në botimin e tretë dhe të katërt edhe një monodramë tjetër, e cila nuk është marrë për studim në këtë monografi pasi, sipas Armagedonit, është dramë shumë e thjeshtë artistike dhe është dramë me motive krejtësisht politike.
Në hyrje të këtij libri autori ka shkruar: “Duke e parë evoluimin e poetikës dramatike, për të hartuar një punim shkencor të këtij lloji, para studiuesve të dramaturgjisë do të shtrohet nevoja edhe për njohjen e: estetikës, të stilistikës, të linguistikës, të sociolinguistikës, të gjenetikës e për shumë disiplina të tjera të letërsisë; për shumë rryma letrare si për: realizmin, simbolizmin, natyralizmin, ekspresionizmin, avangardizmin etj., të cilat, ani pse periudha të veçanta në të gjitha artet, janë të pranishme në letërsinë dhe dramat moderne, në masë të madhe, të shumtën e herëve për tallje, në letërsinë dhe dramat postmoderne. Kjo nevojë për njohje të tyre do të shtrohet, pasi vepra artistike, në këtë rast drama, nuk ka vetëm rregulla poetike dhe teknike, por ka edhe gjuhësore, të cilat, po të thuren mirë, po t’i kenë në vete e t’u përmbahen parimeve poetike të cilësdo prej këtyre periudhave, i japin vlerë të madhe veprës dramatike. Në këtë bashkëjetesë kaq të madhe të periudhave duhen parë edhe dramat e Qosjes, pasi në to përfshihen elemente të të gjitha periudhave letrare”.
Kjo monografi s’është ndarë në kapituj, por emërtimi i njësive dhe ndarja e tyre u ngjajnë kapitujve. Në fillim të librit është dhënë shpjegimi për dramën, për origjinën e dramës, për nocionet e dramës, për poetikën dhe evolucionin e saj ndër shekuj. Po në këtë kontekst teorik dhe historik për poetikën e dramës janë dhënë mendimet e Aristotelit, të Baluhatit, të Platonit, të Hegelit e disa shpjegime të tjera të shkëputura nga fjalorët shqip dhe anglisht për mimesisin dhe katarsisin, pastaj disa shpjegime të librave teorikë për dramën në përgjithësi.
Së këndejmi, duke marrë njohuri teorike nga këta teoricienë të teatrit e të dramaturgjisë, janë analizuar praktikisht dhe veç e veç dramat e Qosjes, Sfinga e gjallë, Beselam pse më flijojnë, Vdekja e një mbretëreshe, jo edhe Bardha e tij, të cilat janë përfshirë në Mite të zhveshura.
Ndër të tjera, meqë dramave të tij u paraprijnë peritekstet, janë analizuar edhe ata, pasi nëpërmjet tyre është parë ajo çfarë shprehin dramat e tij dhe ato çfarë kanë dashur të shprehin ose mund të kenë shprehur gjatë shfaqjes së tyre në teatër regjisorët me rastin e realizimit të tyre në teatër. Dhe meqë këto drama kanë motive intertekstuale dhe janë të motivueshme politikisht, janë vënë në raport krahasimi me ato që u shëmbëllejnë: me arketipat, të cilët kemi vënë re se kanë pësuar transformim zhanror.
Përpos kërkimit të gjenezës së intertektstit e arketipave e shfaqjes së tyre në dramat e Qosjes, është bërë edhe një kërkim gjenetik i botimit të tyre, duke i parë variantet e tyre botim pas botimi. Ndërkaq, duke pasur parasysh ribotimin e tyre, të shumtën e herëve nga dy mijë ekzemplarë, kemi kërkuar, ndërkohë edhe ballafaquar me të tjerët dhe me këtë libër, edhe tekstet kritike dhe interpretimet e ndryshme të studiuesve shqiptarë të letërsisë shqipe bërë dramave Mite të zhveshura, por edhe të atyre kritikëve bërë shfaqjeve teatrore të këtyre dramave, të realizuara në teatrot e Kosovës, disa prej tyre edhe në disa festivale teatrore të Serbisë, prezantuar në shtypin ditor dhe periodik, disa prej tyre të përmbledhur veçan në libra. /Epoka e re/