Nesër fillon edicioni i dhjetë i Festivalit të Filmit WOFF në Tetovë (VIDEO)

Festivali i Filmit “Watch Out” organizuar nga Qendra LOJA në Tetovë mbushi një dekadë. Edicioni i dhjetë fillon nga dita e nesërme dhe do të zgjas deri ditën e shtunë. Adhuruesit e filmave do të kenë mundësinë që në këtë periudhë nga ora 20 çdo ditë, pa pagesë të shohin filmat në qiell të hapur në hapësirat e Muzeut të Partisë Komuniste. Në rast të shiut projeksionet do të organizohen në hapësirat e Qendrës LOJA, transmeton Portalb.mk.

Festivali do të hapet me një film të shkurtë në lidhje me situatën që po ndodh në Ukrainë, kështu njoftoi drejtori i Qendrës LOJA, Bujar Luma.

“Ky edicion i 10-të i festivalit synon të sjellë kulturën më pranë qytetarëve dhe të transformojë shoqërinë përmes magjisë së kinemasë. WOFF për 10 vjet sjellë shpresë, optimizëm, kurajo dhe ringjall vendet e braktisura të Tetovës. Festivali i këtij viti do ta kthejë LOJA-n tek rrënjët e saj duke krijuar një hapësirë të sigurt nga fatkeqësitë e vazhdueshme në mbarë botën”, tha Luma duke shtuar se nuk janë munduar të përgatisin diçka speciale për këtë jubile, pasi sipas tyre punojnë që çdo vit të jetë më i mirë se vitet paraprake.

Watch Out Film Festival- edicioni i dhjetë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Watch Out Film Festival- edicioni i dhjetë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vullnetarja franceze, Florence Dhennoeulin njoftoi se në këtë edicion jubilar kanë aplikuar 564 filma nga 59 vende dhe 6 kontinente.

“Ky numër filmash i ka lejuar grupit para-përzgjedhës dhe jurisë të krijonin një program shumë të larmishëm. Filamat kanë të bëjnë e me histori të grave dhe jetët e tyre, pasi kjo është një temë e rëndësishme.”, tha Dhennoeulin duke njoftuar fituesit e përzgjedhur nga juria profesionale si më poshtë:

  1. Kategoria e Filmit Dokumentar – Pablo de la Chica nga Spanja me filmin e quajtur MAMA.
  2. Kategoria e Filmit Eksperimental dhe të Animuar – Shakila Samavati nga Irani me filmin DOLL STORY, dhe
  3. Kategoria e Filmi me metrazh të shkurtër – Nuria Muñoz-Ortín & Eva Libertad nga Spanja me filmin SORDA (DEAF)

Në kuadër të festivalit, trajnuesi gjerman Christoph Grafinger do të mbajë punëtori, në lidhje me Media Literacy me fokus në lajmet e rreme. Gjatë punëtorisë do të diskutohet lidhja midis metodave artistike se si atom und të jenë një formë e mire e aktivizmit. Punëtoria do jetë e hapur për studentët dhe vullnetarët e festivalit.

Tetovo Film Festival është festival ndërkombëtar, i njëjti organizohet nga Qendra LOJA, me mbështetje të Goethe-Institut – Shkup dhe disa segmente të festivalit mbështeten nga Kurve Wustrow. Festivali realizohet pa përkrahje të autoriteteve lokale dhe atyre qendrore. Drejtori Luma njoftoi se vitin e ardhshëm planifikohet që festivali të zgjerohet në Kosovë dhe Shqipëri, por nuk ka ende diçka konkrete në këtë drejtim, pasi për ato rrëndësi ka kualiteti.