SchoolNFO/ “Buka, qumështi, vaji e orizi”, vendosen marzha tregtare prej 5 dhe 10% për disa produkte ushqimore bazë

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp para Qeverisë tha se do të vendosen marzhe tregtare për 5 për qind në tregtinë me pakicë dhe shumicë për bukën, sheqerin, vajin për gatim, përcjell TV21. Masa do të vlejë deri me 30 shtator.

“Duke filluar nga nesër, pasi ë shpallet në Gazetën Zyrtare, përfshi 30 shtatorin e këtij viti, për bukën e bardhë, të prerë në copë ose të plotë, sheqerin e bardhë, vajin për gatim vendoset marzhë tregtare në lartësi prej 5% në tregtinë me shumicë dhe 5% në tregtinë me pakicë”, deklaroi Bekteshi.

Marzhë tregtare prej 10 për qind do të vendoset për produktet si mielli, makaronat, shpagetat, orizi dhe qumështi.

“Për miell të grurit. edhe tip 400 edhe tip 500, makarona dhe shpageta nga gruri i fortë, oriz i bardhë dhe qumësht vendoset marzhë prej 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë”, theksoi Bekteshi.

Bekteshi njoftoi se lista e produkteve ndaj të cilave do të vendoset marzhë tregtare do të zgjerohet, nëse është nevoja “edhe në bazë ditore”.

“Sipas informacione, tani veç më kanë filluar të ulen çmime të caktuara të prodhimeve, pasi paralajmëruam vendim të tillë. Në rast se Inspektorati i Tregut dhe institucionet tjera konstatojnë se ka rritje edhe tek produktet tjera përveç këtyre produkteve që i numërova, ne do ta zgjerojmë listën shtesë, thuaj se edhe në bazë ditore”, deklaroi Bekteshi.