Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar që ka filluar dialogun social për rritjen e pagave prej 2 806 denarë në gjithë sektorin publik.
“Qeveria dhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e kanë filluar dialogun social për Marrëveshje Kolektive të re e të përgjithshme për rritjen e pagave prej 2 806 denarë për të gjithë në sektorin publik”, deklarojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Sot u zhvillua takimi i parë, që rrjedh si rezultat i vendimeve të fundit të Qeverisë. Dialogu do të udhëhiqet nga zv.kryeministri Fatmir Bytyqi, ministri Fatmir Besimi, Jovana Trençovska, Admirim Aliti dhe Jeton Shaqiri.
“U konfirmua korniza e bisedimeve, e cila në këtë fazë përfshinë harmonizimin e rrogave për rritjen lineare prej 2 806 denarë neto (ose 4 333 denarë bruto) për të gjithë në sektorin publik”, deklaroi Qeveria.
Në bazë të takimit të parë, të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nga viti 2023 do të marrin K-15; ndërkohë u pajtuan që të hartojnë ndryshimet në Ligjin për pagat që do të fillojë të zbatohet prej 1 janarit të vitit 2023.