Pesë hapat që shpëtojnë telefonin nga tejnxehja gjatë verës

Tejnxehja e telefonave të mençur është shqetësuese. Zakonisht kjo ndodh në stinën e verës, kur temperaturat në ambient të jashtëm janë të larta.

Nxehja e telefonave mund të shkaktojë telashe. Ata nisin të ngadalësohen, të bllokohen, t’u dobësohet ndjeshëm bateria dhe krejt në fund të shpërthejnë plotësisht.

Në vijim janë disa nga propozimet që duhet bërë gjatë verës, në mënyrë që telefoni të mos ketë tejnxehje dhe të funksionojë normalisht.

Mos e lini telefonin në diell

Temperaturat e larta, pas një periudhe mund ta dëmtojnë telefonin. Kjo do të mund të shkaktonte dëmtim të ekranit, të baterisë apo fikje të tërësishme. Mbajtja e telefonit në temperaturë të përballueshme, sidomos në ambiente të mbyllura ku nuk depërtojnë rrezet e diellit, do të bënte që telefoni të qëndrojë më gjatë.

Shmangni lojërat

Lojërat që instalohen në telefon nuk janë të dobishme për pajisjen, sidomos gjatë temperaturave të larta. Shpenzimi i baterisë do të rritej e procesori i tejnxehur do të mund të dëmtohej.

Ndaloni përdorimin e Bluetoothit

Shpërndarësi dhe marrësi i valëve të telefonit është burim shtesë i nxehtësisë. Çaktivizimi i tij dhe përdorimi sa më i pakët do ta ruante telefonin shumë, në të kundërtën, nxehja do të ishte e pashmangshme.

Shmangni mbushjen e telefonit derisa është i nxehur

Mbushja e telefonit derisa pajisja është shumë e nxehur shkakton probleme. Kjo rrezikon edhe shpërthimin e baterisë. Mënyra e vetme është që telefoni “të pushojë” derisa ta marrë temperaturën e duhur. Më pas, mbushja duhet bërë në një ambient komod, pa depërtim të diellit.

Përdorni ftohës

Ekzistojnë pajisje, të njohura si “cooler” që ndihmojnë në ftohjen e pajisjeve elektronike. Vendosja e smartfonit në të do ndikonte në uljen e menjëhershme të temperaturës dhe ruajtje të baterisë.

koha.net