SHKUP/ Rikthehet problemi me ndotjen e ajrit


Shkupi sot është kryeqyteti i dytë me ajrin më të ndotur në Evropë. Sipas vlerësimeve të indeksit ndërkombëtar matësit treguan deri në kuotën 162 të grimcave të rrezikshme PM 2.5. I kategorizuar si ajër jo i shëndetshëm, në këtë stad sipas ekspertëve pasojat shfaqen tek qytetarët me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje të tjera kronike. Në gjithë globin, Maqedonia sërish renditet në top 10 e vendeve më të ndotura pas, Indisë, Nepalit, Kinës dhe Turqisë. Qytetarët tani flasin për shkaqet dhe pasojat. Disa thonë se maskat po i bartin jo vetëm nga frika e virusit por edhe nga ngufatja prej ajrit.

“Çdo ditë kam ngufatje, maskat po na mbrojnë organizmin tonë por ajri është shumë i ndotur. Tek ne në Shuto Orizare pas orës 22 ka shumë tepër ndotje dhe ndikon keq tek ne popullsi, mbase djegin goma.”

“Shikoni veturat, sa pak njerëz në kaq shumë vetura, shikoni autobusët të zbrazët. Tani ka filluar edhe sezoni i ngrohjes, digjet gjithçka në oxhaqe. Por, ende nuk ka ardhur ajo ndotja e madhe pasi temperaturat janë të buta, pamundësia për të paguar dru shtynë shumë qytetarë të djegin gjithçka tjetër që ndot.”

“Për këto automjete duhet të vihet një rend që mos të ketë trafik të dendur. Nuk mund të marrim frymë andaj është ajri ndotur secili automjet lëshon gazra helmues.”

“Nëse do shteti e ndal një të keqe. Ndotja e ambientit do të thotë ndotja e organizmit tonë të njerëzve, të kafshëve, të bimëve, të shpezëve e të tjerë. Nga fabrikat që nuk kanë filtra dhe automjetet pa standard.”

Shoqatat ekologjike kritikojnë autoritetet shtetërore se janë në gjumë. Ndër më të zëshmit janë “O2” që thonë se shtetit i dështoi projekti i subvencionimit të inverterëve ngaqë kriza energjetike po troket këtë dimër. Tatjana Stojanovska rreshtoi kritika pa fund për institucionet.

“Shumë jo seriozisht e marrin çështjen e zgjidhjes së problemit me ajrin e ndotur, merren disa vendime paushallë që nuk japin rezultate në afat të shkurtër. Konkretisht qyteti i Shkupit është në pellg dhe nuk ka qarkullim të rrymave të ajrit për shkak të ndërtimeve të larta, numrit të madh të automjeteve. Nuk mund të zgjidhet vetëm me një aspekt sikurse thonë do të ndryshojmë mënyrën e ngrohjes. Ajrin nuk e ndot vetëm ajo, por ku janë problemi automjeteve, pse zvogëlohet gjelbërimi, ku janë objektet industriale?!”, tha Tatjana Stojanovska, Shoqata ekologjike “O2” .

Edhe më e vështirë bëhet situata kur ndotja e ajrit në pandemi ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore të të infektuarve me virusin korona. Mjekët thonë se ndotja e ajrit mund të vërë në rrezik edhe njerëzit që i kanë mbijetuar virusit dhe ende po luftojnë me simptoma afatgjate. Sipas studimeve ajri i ndotur tek qytetarët dëmton funksionin e mushkërive, sidomos tek ata me sindrom post-Covid ballafaqohen me lodhje muskujsh dhe rënie të flokëve. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit ndotja e ajrit apo vrasësi i padukshëm në Evropë shkakton 307,000 vdekje të parakohshme në vit.

Burimi: ALSAT.MK