Kombinimi i Omicron, Delta dhe gripit stinor ka mbushur ambulantat e vendit. Kontrollet dhe analizat laboratorike kanë shtuar fluksin e pacientëve, të cilët kanë simptome të plogështisë, temperaturës, kollës dhe vështirësisë në frymëmarrje. Qendrat e triazhit në Spitalet e qytetit realizojnë mbi 100 kontrolle brenda një turni, thonë nga personeli përkatës mjekësor. Dilema që simptomat e njëjta janë si të varianteve të koronës ashtu edhe të virozës stinore, ka bërë që pacientët të kërkojnë ndihmë mjekësore. Mjekët amë nuk arrijnë tu caktojnë terminë andaj udhëzimet u japin me prioritet.
“Nuk është problem, por vetëm çfarë kërkojnë disa institucione më duhet ky dokumentacion. Direkt erdha të pyes që a mund sot të kryej këtë procedurë dhe më thanë që po”.
“Isha i sëmurë dhe erdha për të më vazhduar edhe pak pushimin mjekësor sepse nuk isha rikuperuar ashtu siç duhet”.
Në Institutin e mjekësisë së punës në Shkup mbingarkesa e punës vërehet ditëve të fundit, nga që shumë pacientë kanë pritur për një kontroll sistematik gjatë kohës së pandemisë. Doktori me përvojë 20 vjeçare në këtë institucion thotë se një pjesë e Spitalit të qytetit “8 Shtatori” dhe Instituti i TBC-së janë akoma kovid qendra, andaj pacientët ia mësyjnë derës së tyre.
“Një pjesë e madhe e punës së tyre është bartur këtu dhe në atë mënyrë koncentrohet edhe numri i pacientëve. Sigurisht që këtu duhet të ketë mirëkuptim nga mjekët amë sepse ne përpiqemi sa më shpejt tu vijmë në dispozicion duke mos i kthyer apo duke mos u shtyrë terminët, por besoni që e kemi patjetër të respektojmë protokollet shëndetësore që mos të bëhemi ne përhapës të infeksionit të virusit korona”, deklaroi Sasho Stoleski, mjek.
Klinikat interne të QKU “Nënë Tereza” në Shkup tani më funksionojnë me repartet e tyre përkatëse, por që pacientët janë të shtuar për kontrolle rutinë të sëmundjeve tjera kronike. Meqë dominanca e llojit omicron nuk paraqet pasqyrë të rënduar klinike, infeksionet shumica e pacientëve po i kalojnë në kurim shtëpiak. Klinika Infektive është gjysmë e mbushur, ndërsa spitalet modulare janë të zbrazëta. Aktualisht në të gjithë vendin janë të shtruar mbi 350 persona, 41% më shumë krahasuar me javën e kaluar. /Alsat.mk