Se kemi dal më pak në numër gjatë regjistrimit të popullsisë, rritje shënon imuniteti kolektiv anti kovid.
Sipas metodologjisë së vaksinimit deri tani u mor për bazë censusi i 2002-së kur numëroheshim mbi 2 milion banorë, kurse me rezultatet e reja del se jemi më të imunizuar, shkruan Alsat.
Ministri Shëndetësisë Sali tha se kjo diferencë ka qenë veç 3%, por statistikat tregojnë se aq sa janë imunizuar përmes vaksinimit antikovid, gjysma tjetër ka krijuar antitrupa natyror.
“Me përqindje totale të vaksinuar jemi 46%, me numërimet e mëparshme ishim 43%. Kjo nuk do të thotë shumë. Është me rëndësi të dini se kemi numër të mjaftueshëm të vaksinave në dispozicion për çdo qytetarë të interesuar për imunizim. Për fat të keq interesimi për vaksinim ka rënë, por paralelisht ka rënë edhe numri i infektimeve të reja që është gjë e mirë”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.
Nga Komisioni për Sëmundje Infektive thonë se rezultate optimale të imunizimit kanë dal edhe nga skriningu serologjik që u realizua muaj më parë në mënyrë rastësore nëpër sheshet e Shkupit. Nga 3 mijë të anketuarit për vaksinim dhe kalim të kovidit, kreu i KSI-së Aleksandar Petliçkovski tha se mbi ¾ kanë imunitet në nivel mesatar. Ai tha se mbi 80% është shifër solide, nën 80% imuniteti kolektiv nuk vlen.
“Nga të gjithë të anketuarit 85% kanë qenë deri diku me imunitet shkaku i vaksinimit apo i imunitetit natyror nga kalimi sëmundjes. Ishte befasuese që nga grupi i të pa vaksinuarave rreth 78% ishin me antitrupa që do të thotë se kur ti mbledhim të gjithë qytetarët në vend kemi nivel të kënaqshëm të arritjes së imunitetit. Ne i ndjekim këto shifra që vazhdimisht zvogëlohen”, u shpreh Aleksandar Petliçkovski, Kryetar i KSI-së.
Sipas krerëve të dy institucioneve më të rëndësishme për menaxhimin me pandeminë, imuniteti kolektiv është në prag të arritjes, gjysma me vaksinim artificial dhe gjysma tjetër me antitrupa natyrorë. Me stabilizimin e situatës epidemiologjike në vend u hoqën edhe masat restriktive. Tani më nuk keni nevojë për bartjen e maskave nëpër ambiente të mbyllura, e as certifikatë të vaksinimit nëpër kufi./ Alsat.mk