KOVID-19/ Infektologët mendojnë se nuk ka nevojë për masa të reja në RMV

Në vendin tonë situata duket shumë herë më e qetë, në një kohë kur vendet e rajonit, por edhe të Evropës po mobilizohen që të përballen me versionin e ri të virusit korona. Infektologu Fadil Cana, thotë se kjo është falë imunitetit kolektiv, dhe jo falë vaksinimit, pasi sipas tij, imunizimi nuk është realizuar në kohë.

“Në çfarë janë shkaqet e kësaj situatë, mendimi im është për arsye se shpesh dhe fillimisht kur doli variant i ri, mendimi im është se ne jemi shtet i përparuar dhe jo i vaksinuar në kohë. Prandaj, ndoshta edhe kjo është përparësia, fatkeqësisht që duhet ta them këtë në cilësinë e një profesionisti të vij në konstatim të tillë. Por për shkak të mangësive që ka pasur sistemi ynë shëndetësorë, pjesa dërrmuese e popullatës në njëfarë forme e ka sëmundjen covid”, tha Fadil Cana- infektolog

Deklaratën e para dy ditëve të ministrit Filipçe se për festat e fund vitit nuk do të ketë shtrëngim masash, Cana e mbështet, por apelon që qytetarët t’i shmangin grumbullimet dhe ahengjet.

“Masat që duhet të silleshin muajt e kaluar, apo vitin e kaluar, dhe të respektoheshin në atë kohë, si duket në këtë drejtim dështuam dhe si pasojë e asaj jemi në këtë situatë. Të që ka deklaruar ai pajtohem, sepse në këtë fazë nuk ka nevojë për masa, por përkujdes”, shtoi Fadil Cana- infektolog

Në analizën e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë theksohet se 67% e rasteve pozitive me Kovid, të cilat janë diagnostikuar nga muaji gusht e deri në mes të dhjetorit kanë qenë të pa vaksinuar. 98% e personave të hospitalizuar janë të pa vaksinuar, ndërsa vetëm 2% e të gjithë atyre që momentalisht janë të shtrirë në Spital janë të vaksinuar plotësisht. Edhe vdekshmëria, sipas analizës tek personat e pa vaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë se sa tek personat e imunizuar kundër Kovid19.
BURIMI: TV ALSAT