Të rinjtë a i kanë marrë mësimet nga të vjetrit tanë?

Shkruan: Hamim Çilafi

Shkup

Që të kemi shoqëri më të shëndoshë, një rini më të edukuar, me një vetëdije edhe më të lartë, të disiplinuar, dhe me një arsim kualitativ, e jo kuantitativ, nuk duhet parë të shkolluarit tanë vetëm si “diplomë punësimi”, por të jenë të parapërgatitur me formime akademike e shkencore por edhe letrare shumë vjeçare nëse duan që të kenë një jetë më dinjitoze. Arsim ky që do të rezultoj me cilësi, vlera e kualitet kadrovik, e jo vetëm me numra të shkolluarish, e që po na rezultojnë si analfabet funksional. Uroj që rinia jonë shqiptare të merret më shumë me punë të mirëfillta: lexim, kulturë, sport, art, shkencë, hulumtime e zbulime, dhe jo të merret me thashetheme, me politikë ditore të imponuar e destruktive e me humbje të kohës nëpër biseda të kota, pasi që koha është gjëja më e rëndësishme në jetë.

Në librin e myslimanëve, në Kuran me një verset thuhet:

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, që porositën njëri – tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri – tjetrin të jenë të durueshëm.  – Kur’an, kaptina “Asr”, verseti 1-3.

Besoj se mundemi, pse jo, nëse kohës tonë ia dimë vlerën e duhur, kur duam diçka dhe nuk imponohemi nga të ligët, nga keqdashit e kombit tonë, e nga dyftyrëshat (hipokritët).

Historikisht, dihet se populli shqiptar i ka mbijetuar shumë luftërave, por duhet që t’i mbijetojmë dhe luftës brenda vetes, luftë kjo që ndoshta është paksa më e vështirë, por prapë se prapë do të përpiqemi që të ‘mundemi e t’ia dalim’!

Për faktin që duke u nisur nga e kaluara e gjer në të tashmen, si në vendin tonë në Ballkan, po ashtu edhe në Europë e diasporë kemi mjaft njerëz të suksesshëm dhe atë në shumë sfera, si në: shkencë, art, religjion, letërsi, film e kinematografi, etj, e kjo nënkupton se jemi një popull që kemi kultivuar kulturën individuale për të arritur majat në atë që synojmë, mirëpo çalojmë në apsketin kolektiv. Kur jemi te punët ekipore, punë që vlerësohen shumë në botën e zhvilluar e të qytetëruar, ne mu këtu kemi ngecje, sepse kemi inate personale dhe nuk duam apo nuk dimë të koordinohemi mes vete, nuk duam që dikush nga ne të zgjidhet në krye të një institucioni apo organizate e ne të operojmë nën të, e të gjithë duam të jemi “komandantë”, e kjo gjë është për t’u shqetësuar kur dihet se punët e mëdha bëhen me njerëz të mirëkoordniuar, në mënyrë ekipore, që respektojnë një hieraki vlerash dhe individësh, mjafton të shohësh se sa kemi vetëdijë shtetërore, e kupton një gjë të tillë që po e ngris si shqetësim, mirëpo mbetem me shpresë që të rinjtë tanë të ndryshojnë këtë kurs të udhëtimit tonë si shoqëri, që të lexojnë historinë tonë që lë për të dëshiruar në këtë aspekt, e të marrim mësimet e duhura për përmirësime, përndryshe nëse s’merret mësim nga historia, ajo di të na përsëritet në formën më poshtëruese.