Para 18 vjetësh shkruajta në lidhje me humbjen e rëndësisë së të folurit dhe të dëgjuarit. Asokohe dola në konkluzion që askush nuk i kushtonte rëndësi asaj çfarë thoshte, ndoshta prandaj dhe gazetarët nuk e ngrinin zërin ndaj gjithë deklaratave të politikanëve, nuk ankoheshin as nuk shkaktonin cinizëm të pafytyrë. Kisha vënë në dukje që njerëzit pas shpikjes së telefonave, kishin harruar të rrinin vetëm në shoqërinë e mendimeve të tyre (as kur ishin në autobus, taksi, as kur ecnin në këmbë) e kishin shndërruar qenien e tyre në mishërimin e egërsisë së përjetshme.
Sot mjafton të dëgjojmë fragmente nga kalimtarë të rastësishëm për të kuptuar që personit që është në anën tjetër të telefonit nuk i intereson fare çfarë po i thotë bashkëbiseduesi dhe e dëgjon tjetrin aq sa mund të dëgjojë shiun ndërsa bie.
Banaliteti i të folurit dhe dëgjimit është në nivele ekstreme dhe në fakt ky lloj komunikimi është bosh. Fjalët që thuhen e që dëgjohen grumbullohen në një kohë të caktuar por duket sikur nuk ekzistojnë. Pas një farë kohe askush nuk mban mend çfarë ka nxjerrë nga goja e çfarë i kanë pëshpëritur në vesh.
Por 18 vjet janë shumë kohë e tani duhet të kishim dhënë atë hapin lehtësisht të parashikueshëm. Tani, pavarësisht se sa solidë e të strukturuar mirë janë arsyetimet tona, përthithen me të njëjtën indiferencë që përthithet një muhabet kafeneje. Ndaj dhe janë zhdukur shprehjet ¨të arsyetosh¨ose ¨ta vësh arsyen të parën¨ që përdoreshin për të thënë ¨të kuptosh çfarë realisht është e arsyeshme¨
Kjo është dramë për ne dinosaurët që nuk jemi zhdukur ende, përpiqemi të shpjegojmë, arsyetojmë, argumentojmë dhe përmes kësaj të bindim dikë për diçka. Kjo praktikë ka shoqëruar njerëzimin prej të paktën 25 shekujsh, që në kohën e Sokratit. Këto kanë qenë instrumentet kryesore që e kanë bërë njerëzimin të vlefshëm, ndaj duhet të alarmohemi sepse po zhdukim thelbin tonë e të vetmit zëvendësues që na ofrohen janë “emocione¨ të paqëndrueshme dhe sentimentalizmat vulgare.
Kemi arritur në pikën ku nuk na intereson fare nëse dikush vërteton një teori shkencore, një të vërtetë filozofike, hap një diskutim të thjeshtë: probabiliteti është që dëgjuesit ose lexuesit nuk e besojnë, e kundërshtojnë; jo me argumente më të mira por thjesht duke u mbyllur në strofkullën e tyre, duke u shurdhuar ose duke ¨arsyetuar¨ pse ky guxon të mendojë ndryshe. Arsyetimin disa njerëz e interpretojnë si ofendim ndaj tyre: ¨Mendon që jam inferior apo budalla?¨, ¨Mendon që vetëm pse ke të drejtë, unë duhet të të jap të drejtë? Ëndërro¨, këto janë reagimet më të shpeshta në shoqërinë tonë. Çfarë mund të bëjmë në këtë botë ku nuk ka rëndësi të kesh të drejtë, çfarë na ka ngelur? Çfarë duhet t’iu themi votuesve të Trump-it, Bolsonaro-s, Maduro-s apo atyre që votojnë Putin-in?
Sa më shumë të mundohemi të flasim me ta, do kuptojmë që argumenti ynë nuk vlen fare dhe e kemi praktikisht të pamundur të ndryshojmë mendimet dhe bindjet e këtyre njerëzve të zhytur në guaskën e tyre. Kam përshtypjen se një pjesë e madhe e shoqërisë i është dorëzuar bindjeve si fetarët Zotit, sektarët sektit. Feja është besimi në diçka e cila nuk vërtetohet dot, ¨ekzistenca e Zotit nuk është provuar por unë besoj plotësisht tek ai sepse feja është përmbi çdo gjë dhe çdo arsye, ndaj dhe i përket një sfere superiore e është besim i verbër dhe i shurdhët¨.
Kjo sjellje na u imponua gjatë shumë shekujve dhe na kushtoi shumë. U desh të zhvillohej shkenca, mjekësia që ta nxirrnin njerëzimin nga verbëria e shurdhimi i tij vullnetar.
Zhvillimet galopante të shekullit XXI i japin akoma dhe më shumë rëndësi arsyes pa të cilën jemi tërësisht të humbur dhe mund t´i përkasim lehtësisht grupit të emocionalëve e supersticiozëve që thonë që vaksinat vrasin, që toka është e rrafshët, partia Podemos (partia e majtë radikale në Spanjë), Partia Vox (partia e djathtë radikale në Spanjë) janë demokratike, Elvis Presley dhe John Kennedy jetojnë akoma, që Katalunja nuk është e lirë dhe që Irene Montere është feministe. Ju lutem të gjithë miqve të mi filozofë dhe shkrimtarë që të shkruajnë e të imagjinojnë, të përdorin armët e tyre të denja sepse përndryshe do të na shuajnë të gjithëve ne.
Javier Marias është shkrimtar, përkthyes dhe redaktor Spanjoll. Ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ka dhënë mësim në Oxford University, Universidad Complutense de Madrid. Kontribuon në të përjavshmen ¨El País Semanal¨