Çrregullimi i jetës që u shkaktua nga covid-19, në tërë botën moderne u manifestua me një sërë masash rigoroze si izolim, karantinim, ndërprerje të punës, rënie të ekonomisë, reduktim rrogash, kufizim të daljes, shetitjes, rekreacionit etj. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, filiacioni njerëzor u përball me masa drastike të papara deri më sot. Ato u pasuan me orë policore maratonike, ngujim në shtëpi, tollovi nëpër markete, pritje para furrave, bankave, barnatoreve etj. Gjatë kësaj periudhe të paimagjinuar, loza njerëzore filloi të evoluojë socio-moralisht, duke e ndryshuar radikalisht perceptimin e saj për botën, shoqërinë dhe njeriun si individ.
Në këto kushte të reja, të imponuara pa dëshirën e popullit, çdo njeri u transformua në njëfarë ‘filozofi të jetës’, i cili filloi të persiatë për ridefinimin e kuptimit të jetës njerëzore, për vlerën e lirisë, për thjeshtësinë e lumturisë, për të ardhmen tonë aq të pasigurtë!
Në këtë dimension të ri të kohës coronavirusiane, erdhi deri tek eliminimi i i disa ‘veseve tradicionale’ të cilat disa njerëz i patën shndërruar në egoistë, lavdaq dhe sedërmëdhenj. Këtyre njerëzve tani më iu asgjësua mundësia për shopingje prestigjoze, foto nga darkat e begatta, shetitjet me vetura luksoze, pushimet ekzotike, aventurat erotike, qejfet e bixhozit etj.
Qenia njerëzore si homo ludens i botës së shfrenuar në hedonizëm, të fundosur në hipokrizi, zili e mikroborgjezi, papritmas erdhi para dyerve të një purgatori filozofik – vetëpërcaktimit ontologjik të njerëzores së tij të tundosur! Këtë fenomen social në mënyrën e tij e kishte shtjelluar edhe Niçeja, ai ‘bilbil me zemër shqiponje’, i cili i gërditur nga dehumanizimi, depersonalizimi dhe pseudomoralizimi i njeriut, kërkonte rishqyrtimin e humanes dhe ‘rivlerësimin e të gjitha vlerave të deriatëhershme’! Vallë, a mos na solli sot coronavirusi në këtë gjendje edhe neve: të bëjmë rishqyrtimin dhe rivlerësimin e vlerave humane, morale dhe universale!? A mos erdhi koha e resetimit të ndërgjegjes sonë njerëzore, sepse kështu e kuptuam të vërtetën lakuriqe se të gjithë jemi njësoj të prekshëm nga vdekja, qofshim të pasur apo të varfur, funksionarë apo të papunë, religjozë apo ateistë!?
Jam i vetëdijshëm se pas ikjes së coronavirusit do të nevojitet një kohë për rehabilitimin tonë socio-ekonomik dhe psiko-moral, sepse njerëzimi për një periudhë do të vuajë nga papunësia, demoralizimi, depresioni, ankthi dhe stresi post traumatik, por kjo gjë me kohë do të tejkalohet. Mirëpo, siç predikon edhe filozofia simboliste Yin Yang e Taos, e cila akoma para 2500 vjetëve i porosiste njerëzit se ‘çdo e mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë’! Prandaj, bazuar në këto premisa silogjistike, jam i bindur thellë se një ditë prej ditësh, kur do të harrohet ky izolim global nga coronavirusi, të gjithë ne këtë kohë do ta kujtojmë me nostalgji edhe për disa gjëra rë mira! Do t’i kujtojmë ditët kur me muaj të tërë qëndruam familjarisht në shtëpi, duke ndenjur pranë njeri tjetrit dhe duke shprehur solidaritet, empati dhe dashuri të munguar. Do t’i kujtojmë me mall ditët e një pushimi familjar të paplanifikuar, kur në sofër bashkarisht e hanim kafjallin, drekën dhe darkën! Do t’i kujtojmë ato ditë kur u mbushëm me mend të gjithë: kur e ‘zbuluam’ se vërtetë paskemi qenë të lumtur! E lumturia qëndruaka në gjëra të vogla si shkuarje në punë, takim me shokë, pirje kafe, dalje në sheti, piknik në natyrë, peshkim me fëmijët, drekim në restoran, shkuarje mysafir etj.
Nga kjo krizë virusiane të gjithë ne e mësuan një leksion të rëndësishëm, i cili vërtetë e resetoi ndërgjegjen tonë të përgjumur, sepse sërish filluam të mendojmë për gjërat substanciale si shëndeti, jeta, vdekja, familja, puna, liria.
Me këtë rast e (ri)kuptuam se gjërat më të vlefshme për njeriun si: shëndeti, familja, prindërit, fëmijët, miqtë, lumturia, janë elemente jetike që as nuk blihen e as nuk shiten, ato janë falas! Janë dhuratë nga Perëndia! Por, tek pasi t’i humbim ato, ne fillojmë t’ua kuptojmë rolin, peshën dhe rëndësinë e vërtëtë që e kanë në jetën tonë!
Nga Prof. Dr. Sunaj Raimi, Profesor i Sociologjisë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup!